×
  • Lajme
  • Rajon

    46 të vdekur e 7 të plagosur, krejt çka dihet deri tani për aksidentin tragjik në Bullgari

    Reporteri
    23 Nëntor 2021 | 16:22

    Një aksident tragjik ka ndodhur rreth orës 3 pas mesnate në Bullgari, ku mbetën të vdekur 46 persona, pasi një autobus që po kthehej nga Turqia për në Maqedoni të Veriut u përfshi nga flakët.

    Sipas raportimit të mediave, në mesin e viktimave kanë qenë edhe 12 fëmijë, pesë prej tyre të mitur.

    Në autobus besohet të kenë qenë 53 persona. Aksidenti ka ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes, në orët e para të mëngjesit të së martës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Prokuroria e Shtetit në Bullgari kanë konfirmuar se deri te aksidenti ka ardhur si pasojë e një shpërthimi, por se nuk dihet ende se çka e ka shkaktuar atë, shkruan gazeta bullgare Dnevnik, transmeton Reporteri.net.

    “Pamja po bëhet më e qartë çdo orë që kalon. Ekipet po marrin në pyetje viktimat në Pirogov, dy prej tyre janë në gjendje të japin shpjegime, të tjerët janë në shok ose në reanimacion, edhe pse pa rrezik për jetën. Po ashtu janë marrë në pyetje dëshmitarët okularë në vendngjarje”, në një konferencë zv/kryeprokurori i shtetit, Borislav Sarafov.

    Ai ka konfirmuar se nuk do të ketë hetim për rastin në Maqedoninë veriore dhe prokuroria vendase do t’ua përcjellë të gjitha dokumentet e nevojshme homologëve të saj bullgarë.

    Sipas informacioneve fillestare, autobusit i ka plasur goma e përparme djathtas, e më pas është përplasur në parmakë dhe është zvarritur. Në atë moment është derdhur karburanti që lidhet me ngrohjen në autobus, pas çka ka rënë zjarri. Kjo ka ndodhur në pjesën e përparme të autobusit.

    Këto detaje u zbuluan në një deklaratë për Televizionin Kombëtar Bullgar nga Vasko Pirgov, i cili është ekspert i motorëve me djegie të brendshme dhe ishte ndër të parët që mbërriti në vendin e tragjedisë në mëngjes. Sipas tij, shoferi pranë karrigeve të përparme ka pasur tuba të mbushur me naftë, dhe për këtë shkak ka ndodhur shpërthimi.

    “Zjarri ka ndodhur për shkak të gabimit të shoferit, i cili është shpërqendruar në rrugë. Aty është një çezmë ku ndalen njerëzit që kanë ndonjë nevojë, është për pauzë, ka disa lokacione të këtilla dhe është e thurur me bankinë. Duke hyrë në bankinë, shoferi ka goditur dhe e ka thyer shenjën që tregon se aty ka çezmë. Ajo shenjë ka fluturuar rreth 35 metra. Me siguri autobusi ka lëvizur me shpejtësi më shumë se 100 km në orë. Autobusi nuk ka shenja frenimi, do të thotë, shoferi nuk ka reaguar në mënyrë përkatëse”- deklaroi Vasko Pirgov, ekspert për motorë me djegie të brendshme.

    Në aksident ka humbur jetën edhe shoferi. 7 persona – 2 gra dhe 5 burra, kanë shpëtuar dhe janë vendosur në spitalin “Pirogov” raporton agjencia bullgare e lajmeve, BGNES.

    Në spital ndodhen 7 persona, të gjithë me djegie në fytyrë dhe rrugë të sipërme respiratore. Me djegie në duar ka dy raste, të tjerat me plagë. Kështu tha Maya Argirova, shefe e klinikës së djegieve në spitalin Pirogov, për viktimat e aksidentit që shpëtuan gjallë. Viktima e shtatë kishte frakturë në kofshë dhe është vendosur në Traumatologji.

    “Njerëzit janë në trauma të rënda, kanë humbur të afërmit, fëmijët. Ata u hodhën nga xhamat e autobusit, prej nga kanë marrë lëndimet”, shtoi Argirova. Ajo tha se ata janë sjellë në spital pas orës 3.

    Kujtojmë se në mesin e viktimave, shumica nga ta raportohet se janë shqiptarë. “Alsat” ka publikuar emrat e shtatë turistëve shqiptarë që i mbijetuan tragjedisë në Bullgari, aty ku humbën jetën 46 të tjerë.

    Lidhur me këtë tragjedi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim që të shpallë tri ditë zie për shkak të këtij aksidenti tragjik. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!