Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla pritën sot në takim komandantin e forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Ferenc Kajari.
Në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kurti ritheksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë për komunikim, bashkëpunim e bashkërendim të veprimeve ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit.
Kurti shprehu përkushtimin institucional për luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe sundimin e ligjit, si prioritete të qeverisjes.
Ndërsa, “gjeneralmajor Kajari e përgëzoi ministrin Sveçla për angazhimin dhe profesionalizmin e lartë që po tregon Policia e Kosovës në shërbim të qytetarëve”.
Ai shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e forcës shumëkombëshe për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet për krijimin dhe ruajtjen e ambientit të qetë dhe të sigurt në Kosovë.