Në mes të muajit maj 400 kilogramë drogë të llojit kokainë ishin kapur në oborrin e një kompanie private në hyrje të Lipjanit. Për rastin në fjalë është marrë në pyetje nga Inspektorati Policor i Kosovës(IPK), Shefi i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Gazeta Metro nga burimet e saja brenda MPB’së, ka mësuar se i implikuar në rrjetin e organizimit të transportit të 400 kilogramëve të kokainës që destinacion kishin Kosovën, janë bashkëpunëtor të ngusht të shefi të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Me 22 nëntor(e hënë) mësohet se Shefi i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti është intervistuar nga IPK’ja, ku arsyeja e intervistimit të tij po del të jetë përgjimet e oficerëve të tij policor të implikuar në rast, për të cilët Samedin Mehmeti ishte në dijeni, por nuk i kishte raportuar në IPK, konfirmojnë burimet e Gazetës Metro brenda MPB’së.
Heshtja e Shefit të Policisë së Kosovës karshi vartësve të tij që dyshohen të jenë të përfshirë në këtë organizim kriminal, ka quar në hetimin dhe marrjen në pyetje të Mehmetit.
Ndryshe, për rastin në fjalë ishte prononcuar edhe kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, i cili kishte thënë se ky kontingjent kokaine kishte vlerë rreth 20 milionë euro, ndërsa dyshohet se ka ardhur nga Brazili, ka kaluar nëpërmjet Italisë në Shqipëri e më pas edhe në Kosovë, dhe se hetimet po vazhdojnë në të trija vendet.
Ndërsa autoritetet shqiptare kishin dy muaj që prisnin këtë ngarkesë pasi u sinjalizuan nga DEA amerikane. Me të mbërritur konteineri në Durrës, policia shqiptare ka konstatuar drogën, por nuk ka ndërhyrë duke e lejuar që të kryeshin procedurat për të zbuluar se cili do të ishte destinacioni final i tij, e ku më pas kishin ndërhyrë PK në konfiskimin e 200 kilogramëve të kokainës.