Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se integrimi i institucioneve kombëtare të Kosovës e Shqipërisë, do t’i forcojë ato dhe do tu shërbejnë më mirë qytetarëve.
Gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Haxhiu nënshkroi marrëveshjen për ndihmë juridike në çështjet civile dhe tregtare me homologun e saj, Ulsi Manja.
“E zotuar me vullnet dhe gatishmëri, krahas ministrave të Kabinetit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe pranë kolegëve nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, së bashku me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, nënshkruam Marrëveshjen për ndihmë juridike në çështjet civile dhe tregtare, e cila do të rregullojë procedurat në gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë, marrëdhëniet tjera civile ose tregtare të personave fizik por edhe të personave juridik”, shkruan Haxhiu.
Siç thotë Haxhiu, pas këtyre marrëveshjeve qytetarët do të ndihen dhe trajtohen si në atdheun e tyre, pavarësisht në cilën anë të kufirit janë.
“Integrimi i institucioneve tona kombëtare të të dy shteteve, do t’i forcojë ato dhe si të tilla do t’iu shërbejnë më mirë e më shumë qytetarëve tanë, të cilët çdo herë e më shumë do të ndihen dhe trajtohen plotësisht si në atdheun e tyre, pavarësisht nëse do të jenë andej apo këtej kufirit”, shkruan Haxhiu në Facebook.
Ndryshe, në Elbasan të Shqipërisë u mbajt sot mbledhja e rregullt e dy qeverive shqiptare, të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa pas mbledhjes u nënshkruan 13 marrëveshje.