×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti bashkëbisedon për rritjen e bashkëpunimit me përfaqësuesit e bizneseve nga Kosova e Shqipëria

    Reporteri
    26 Nëntor 2021 | 17:22

    Pas mbledhjes së përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me homologun e tij, Edi Rama, bashkëbiseduan me përfaqësuesit e kompanive të ndryshme të biznesit nga Kosova dhe Shqipëria, lidhur me mundësitë e e rritjes së bashkëpunimit.

    Kryeministri Kurti tha se bashkëbisedimi i sotëm është i domosdoshëm që vizionet dhe programet e të dy Qeverive, t’i përkthejmë në veprime sa më konkrete ashtu që ato të jenë efektive dhe frytdhënëse.

    Teksa bëri një krahasim të shifrave bëri një krahasim të qarkullimit të mallrave në vitin 2010 me vitin 2020, pra me një dekadë në mes dallim, kryeministri Kurti tha se vërehet qartë tendenca e rritjes së qarkullimit të mallrave mes dy vendeve.

    “Dy konkluzione të rëndësishme duhet bërë nga këto shifra. Së pari, një meritë të madhe për këtë rritje të qarkullimit tregtar duhet t’ua atribuojmë vetë bizneseve tona që, përkundër vështirësive, kanë arritur të kenë rritje të vazhdueshme në dy tregjet përkatëse. Dhe, së dyti, nuk duhet të kënaqemi me kaq”, tha kryeministri Kurti.

    Ai tha se meritë të madhe kanë vetë prodhuesit dhe eksportuesit tanë sepse përkundër faktit që Kosova dhe Shqipëria janë anëtare të marrëveshjes rajonale të tregtisë së lirë CEFTA, rastet e bllokimit të lëvizjes së lirë të mallrave dhe prania e barrierave të ndryshme jo-tarifore nuk kanë qenë të pakta.

    Barrierat tregtare mjaft shpesh janë aplikuar nga autoritetet shqiptare si ndaj produkteve bujqësore ashtu edhe ndaj atyre industriale të eksportuara nga Kosova në Shqipëri.

    Kryeministri theksoi nevojën për zbatimin e disa politikave që stimulojnë zhvillimin e industrive përpunuese, me theks tek ajo e ushqimit; komplementojnë nevojat energjetike të dy vendeve sepse edhe natyrën e kemi përplotësuese, nxisin bashkëpunimin në bujqësi, mbështesin inovacionin dhe shërbimet në fushën e Teknologjisë së Informacionit.

    Mbetet gatishmëria dhe vullneti institucional për ta ndihmuar tutje zhvillimin e dy ekonomive tona, tha ai duke u shprehur i sigurt se vullneti nuk mungon nga të dy qeveritë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!