Një ngjarje e rëndë ka ndodhur para një ore në fshatin Gllogjan të Deçanit. Dyshohet se tre persona janë vrarë pas një sulmi mbi autobusin e nxënësve.
Gjithashtu mësohet se ka edhe të plagosur.
Tashmë janë publikuar pamje nga Spitali i Pejës ku kanë arritur të plagosurit nga kjo ngjarje e rëndë.
Ngjarja u konfirmua edhe nga Policia dhe Prokuroria. Por ata ende nuk kanë dhënë detaje të tjera për këtë tragjedi.
“Deri më tash personat që kanë gjuajtur me armë janë ende të panjohur, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 dhe është sulmuar autobusi që po shkonte nga Deçani për në fshatin Gllogjan. Pikërisht në këtë fshat ka ndodhur incidenti“, ka thënë Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës.
Edhe zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës Shkodran Nikçi e ka konfirmuar rastin për Gazetën Online Reporteri.net.
Ai ka thënë se Prokurorja kujdestare ka shkuar në vendin e ngjarjes pas marrjes së informacionit.