Tre persona janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit.
Të shtënat kanë ndodhur të premten, në orët e mbrëmjes.
Autobusi drejt të cilit ishte shtënë mbrëmë me armë zjarri raportohet se është akoma në vendin e ngjarjes, shkruan Reporteri.net.
Janë publikuar edhe disa pamje ku shihen vrimat e plumbave në xhamat e autobusit që sipas policisë është gjuajtur me AK-47.
Nga ngjarja e mbrëmshme ka mbetur i vdekur shoferi i autobusëve dhe dy nxënës që ishin aty.
Ndërkohë, pak minuta më parë, prokurorja Sahide Gashi në një deklarim për media ka dhënë detaje rreth pistës së hetimeve për vrasjen e trefishtë gjatë natës së mbrëmshme në Gllogjan.
Ajo ka thënë se janë intervistuar disa dëshmitarë dhe se ekipet hetuese janë në terren duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes ku është kryer krimi.
Ajo ka bërë të ditur se në orët e para të mëngjesit është kryer edhe një bastisje në Gllogjan por që nuk është gjetur asgjë e dyshimtë ose ndonjë provë në drejtim të identifikimit të të dyshuarit
“U bëj thirrje qytetarëve që të na ndihmojnë me informacionet që kanë. Ky është një moment i rëndë qoftë familjet e viktimave qoftë për ata që kanë qenë në autobus dhe e kanë përjetu. Ne me shumë kujdes jemi duke intervistu çdo dëshmitar okular dhe jemi të ndarë në shumë grupe dhe secili prej tyre jemi duke i koordinu veprimet, kemi intervistu shumë persona. Deri tash me informatat që posedojmë është përdorur një kallashnikov dhe është zbrazur një karikator, hetuesit janë në terren duke e bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes”, tha ajo.