Tragjedia e mbrëmshme në Gllogjan la të vrarë tre persona dhe një të plagosur. Policia ka bërë me dije se ka të pista të hetimeve dhe se potencialisht në rast janë të përfshirë më shumë se dy persona. E 24 orë pas tragjedisë ende nuk ka ndonjë arrestim, pos një ultimatumi nga ministri i Mbrojtjes, Xhelal Svecla.
Drejtoria Policore Rajonale e Pejës në ora 18:58 ka pranuar informatat e para lidhur me sulmin drejt autobusit që po bartte nxënës nga Gjakova për në Deçan.
Në mesin e fshatrave Shaptej dhe Gllogjan, një person i maskuar shtiu me breshëri plumbash drejt autobusit ku la të vrarë tre persona, shoferin e autobusit dhe dy nxënës, vajzë e djalë të moshës rinore.
Për organet e rendit dorasi është ende i panjohur. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot i dha ultimatum atij që të dorëzohet. Ministri tha se të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në dispozicion të zbulimit të rastit.
“Unë i bëj ultimatum vrasësit që të dorëzohet sepse për çdo ditë ai i rëndon të tjerët, ai që i ndihmon vrasësit implikohet në vepër penale. Sa më parë që dorëzohet aq më mirë për rrethin e tij dhe për qytetarët e Kosovës. Unë mund të garantoj se jemi të vendosur që të gjitha kapacitetet tona shtetërore janë në dispozicion të zbulimit të këtij rasti”, tha ai.
E drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti tha sot, se për këtë rast nuk është i dyshuar vetëm një person. Sipas tij, nga informacionet që kanë marrë në terren, potencialisht janë të përfshirë më shumë se dy persona.
Mehmeti tha se aktualisht janë duke hetuar në tri pista se si mund të ketë ndodhur rasti. Ai ka përjashtuar mundësinë që ky rast ka qenë akt terrorist.
Sot në vendin ku ka ndodhur krimi në Gllogjan, kanë vazhduar ekzaminimet lidhur me rastin. Drejtori i Policisë konfirmoi se janë duke kontrolluar edhe terrenin përreth vendit ku ka ndodhur sulmi me armë.