×
  • Lajme
  • Lajme

    Flet pas 5 ditësh pronari i kompanisë “Besa Trans”: E kam zemrën e lënduar, ata ishin edhe familjarët tanë

    Reporteri
    28 Nëntor 2021 | 19:06

    Prokuroria po heton se si ka funksionuar kompania “Besa Trans”.

    Pas bisedës informative në prokurorinë bullgare, pronari i kësaj kompanie Bekim Haxhiu, për herë të parë pas tragjedisë ka komentuar në Facebook dhe ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.

    Ai ka thënë se është i pikëlluar dhe është me zemër të lënduar pasi që udhëtarët i konsiderojnë si familjarë të tyre.

    Sidoqoftë, ai thotë se vullneti i Zotit nuk mund të ndryshohet dhe lutet që një gjë e tillë të mos i ndodhë askujt tjetër.

    “Allahu në Xhenet i shpërbleftë shehedlit, të lënduarve shërim sa më të shpejtë, familjarëve sabër ju dhashtë. Këto fjalë i them me pikëllim dhe me zemër të lënduar. Ata ishin edhe familjarë tanë, sepse çdoherë kur kemi udhëtuar (kështu) i kemi konsideruar. 4 ditë ishim bashkë në Stamboll gjatë shëtitjeve. Shumica e tyre kanë udhëtuar edhe më herët. Këto sprova janë nga Allahu. Vullneti i Tij nuk mund të ndryshohet asnjë minutë dhe lusim Allahun që të mos e sprovojë askënd”, ka shkruar Bekim Haxhiu, pronar i “Besa Trans”.

    VMRO-DPMNE-ja opozitare kërkoi të vërtetohet përgjegjësi për faktin se autobusi i “Besa Trans” ndonëse nuk ka pasur leje për transport të udhëtarëve, ka kaluar kufirin. Sipas opozitës, kjo tragjedi tregon se sistemi është jofunksional.

    “A është më i rëndësishëm koalicioni LSDM-BDI se jeta e qytetarëve? A duhet të marrë opinioni përgjigje nëse është e vërtetë që drejtori Huseini nuk ka lëshuar urdhër për inspektim në pikën kufitare Deve Bair që nga dhjetori i vitit 2020, ndërsa pikat tjera kufitare si Tabanocë, Bllacë, Qafëthanë dhe Bogorodicë janë inspektuar rregullisht nga inspektorët?”, deklaroi Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

    Autobusi i djegur i “Besa Trans” këtë vit e ka kaluar 113 herë kufirin e Maqedonisë pa leje për transport të udhëtarëve brenda dhe jashtë vendit. Prokuroria ka marrë tashmë të gjithë dokumentacionin për punën e agjencisë dhe nëse konstaton përfshirjen e dikujt në këtë rast, do të hapë procedurë penale.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!