×
  • Lajme
  • Botë

    Pse mutacioni afrikan quhet Omicron

    Reporteri
    29 Nëntor 2021 | 10:21

    Mutacioni më i ri i koronavirusit, i identifikuar fillimisht si B.1.1.529 pasi u zbulua në Botsvanë dhe në Afrikën e Jugut, tashmë ka një emër më të thjeshtë për t’u mbajtur mend, Omicron.

    Mutacionet e shumta dhe agresiviteti i tij do ta kthejë atë që është një germë e alfabetit grek në një nga fjalët më të diskutuara në planet, në javët dhe muajt e ardhshëm.

    Por nuk mungon një polemikë as këtë radhë, madje tymnaja e saj po ngrihet gjithmonë e më shumë. Pse variantit të ri afrikan i është dhënë pikërisht këtë emër?

    Në fakt, nga fillimi i pandemisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka dhënë varianteve të ndryshme të koronavirusit germat e alfabetit grek, sipas rendit, në mënyrë që mos të identifikoheshin me një vend ose person të caktuar. Por varianti i fundit ishte ai kolumbian, i pagëzuar si Mu, dhe si pasojë të gjithë në orët e para të lajmit nga Afrika menduan se do të flitej për një variant Nu, pra germa pasuese.

    Por drejtuesit e OBSh, jo vetëm tejkaluan atë germë, por edhe tjetrën, atë Xi, duke shkuar tek Omicron që u zyrtarizua më pas.

    Menjëherë kritikët ndaj organizatës dhe menaxhimit të pandemisë prej saj filluan një fushatë të ashpër, duke akuzuar OBSH-në për frikë të tepruar ndaj Kinës, presidenti i të cilës quhet pikërisht Xi Jinping.

    Fushata morri dimensione të tilla sa që edhe një ish-kandidat për president dhe eksponent i njohur i republikanëve, si senatori Ted Cruz, në Twitter akuzoi OBSh-në se “ka frikë nga Partia Komuniste kineze, si mund të mendojmë se OBSh do t’i denoncojë ata kur do të fshehin serish një pandemi katastrofike?

    OBSh u detyrua të përgjigjej zyrtarisht ndaj akuzave, me efekte kontradiktore, për hir të së vërtetës.

    Ndërkohë që për germën Nu zgjedhja u justifikua me ngjashmërinë me fjalën angleze New, që mund të sillte keqkuptime, për sa i përket germës Xi, anashkalimi i saj u justifikua me faktin që “Xi është një mbiemër shumë i përhapur dhe ne jemi të vëmendshëm për mos të ofenduar grupe sociale, etnike dhe kulturore”. Diçka që, gjithsesi, nuk përjashton as presidentin kinez.

    Përveçse në Afrikën e Jugut, varianti është identifikuar në Botsvana, Belgjikë, Hong Kong dhe Izrael. Një sërë shtetesh, si Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se nuk do të lejojnë fluturimet nga shtetet e Jugut të Afrikës, e shumë të tjera po vendosin kufizime në udhëtime.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!