×
  • Lajme
  • Botë

    “Po shndërrohemi në një vend arab”, gazetari kontrovers shpall kandidaturën për president në Francë

    Reporteri
    30 Nëntor 2021 | 19:09

    “Ka ardhur momenti për të vepruar. Nuk ka më kohë për të reformuar Francën, duhet ta shpëtojmë atë”. Këto fjalë përmbyllën takimin e fundit me të cilin gazetari Eric Zemmour shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij në zgjedhjet presidenciale franceze.

    Zemmour, që prej dekadash përfaqëson publicistikën e ekstremit të djathtë në Francë, prej kohësh me pretekstin e prezantimit të librit të tij kishte filluar xhiron e vendit duke shpalosur platformën politike, që më shumë se me propozime ka qenë e mbushur gjithmonë me akuza kontroverse ndaj disa prej temave sociale më të nxehta, si multikulturalizmi, feminizmi dhe emigracioni, dhe veçanërisht praninë e komunitetit islam në Francë.

    “Jemi të huaj në vendin tonë”, është një nga sloganet e Zemmour, që shpesh herë ka folur për një projekt misterioz që si objektiv ka, sipas tij, zëvendësimin etnik të francezëve të bardhë dhe të krishterë në favor të emigrantëve.

    Mitet e tij, të cituar edhe në videon ku zyrtarizon kandidaturën, janë Jean d’Arc, Luigji i 14-të, Napoleoni dhe normalisht gjenerali De Gaulle.

    Me javë para zyrtarizimit, mediat franceze e kishin vënë ato në sondazhet për president, ku ai rezultonte i dytë pas presidentit aktual, Emmanuel Macron.

    Por disa gafa të pafalshme po rrezikojnë seriozisht popullaritetin e tij. Fillimisht në një panair të sigurisë i drejtoi disa gazetarëve një automatik, shaka pa kripë kjo sipas mediave, nga momenti që ai deklaron shpesh që disa media duhen zhdukur.

    Gafë tjetër ndodhi në Marsejë, qytet shpesh herë i sulmuar nga Zemmour që e cilëson si “metropol arab, dhe shembull sesi do të jetë e gjithë Franca në qoftë se nuk ndërhyhet”. Për të shmangur grupet e shumta antifashiste që e kritikojnë, takimi i tij me elektoratin u shndërrua në një ecje të shpejtë ku ai preferoi mos t’i fliste askujt, dhe përndryshe të fliste me gjeste, duke i treguar gishtin e mesëm një gruaje që e kritikonte në të njëjtën mënyrë.

    Edhe nga ana morale Zemmour, që përkrah elementet më tradicionale të familjes, nuk duket në sinkron me to. Përgjegjësja e fushatës se tij, 28-vjeçarja Sarah Knafo, është shtatzënë me kandidatin 63-vjeçar, por ata nuk janë formalisht të martuar.

    Kjo seri ngjarjes kanë bërë që disa nga mbështetësit e tij më të hershëm, për arsyeje të ndryshme, e kanë braktisur tashmë, duke i hequr edhe fondet për fushatën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!