Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ku shkruan së Edi Rama ka javë që bredh nëpër Shqipëri duke ngjallur panik.
Gjithashtu kreu i PD-së shkruan për arrestimet që ka bërë policia kohët e fundit, duke ndaluar dhe prangosur qindra mbështetës të PD-së por edhe disa nga drejtuesit e saj.
Basha thotë se kjo që po bën Rama nuk e tremb opozitën dhe se Shqipëria nuk do të digjet.
“Kam një lajm të keq për të: Shqipëria nuk do digjet dhe opozita nuk trembet”, shkruan në “Facebook” Basha.
Postimi i plotë i Lulzim Bashës:
Edi Rama ka javë që bredh nëpër Shqipëri duke ngjallur panik e duke kërcënuar sa me djegie të vendit dhe sa me burgosje të të gjithë opozitës. Kam një lajm të keq për të: Shqipëria nuk do digjet dhe opozita nuk trembet.
Këto muaj e fundit Rama ka ndaluar dhe arrestuar qindra qytetarë dhe opozitarë, së fundi drejtuesit e PD së Elbasanit dhe Librazhdit, dhe të gjithë e kanë parë se askush nuk trembet nga kërcënimet dhe veprimet e tij perverse.
Këtë shqiptarët po ja provojnë atij përditë kudo nëpër Shqipëri, të cilën ai tani e viziton nën mbrojtjen e qindra forcave policore, sikur të jetë duke ecur përmes një territori armik dhe jo vendit të tij.