Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka folur për marrëdhëniet Kosovë – Mbretëri e Bashkuar, marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës e Serbisë, procesin e Vettingut në Kosovë, etj.
Abbot ka folur edhe për rolin e të dërguarit të posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin dhe rolin e tij në dialogun Kosovë- Serbi.
Ai ka thënë për Telegrafin se i dërguari i kryeministrit, Boris Johnson për Ballkanin do të ndihmojë BE-në në dialogun Kosovë – Serbi.
Ambasadori britanik më tej deklaroi se marrëveshja Kosovë- Serbi do të thotë të pranosh se kompromisi, jo koncesioni, është i nevojshëm për të arritur një marrëveshje përfundimtare që kënaq të dyja palët.
Por ai u shpreh se është shqetësuese retorika e përdorur nga përfaqësuesit e të dy vendeve para dhe pas takimeve të dialogut.
“Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja dhe i dërguari ynë i ri do të punojë në mbështetje të këtij procesi.
Ne e mbështesim dialogun sepse besojmë se është në interes të qytetarëve në të dyja vendet të arrihet një marrëveshje që i mundëson Kosovës dhe Serbisë integrimin e plotë në bashkësinë ndërkombëtare, zgjidhjen e çështjeve të së kaluarës dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe Serbinë. Është jetike për sigurinë e Ballkanit Perëndimor në tërësi. Çdo marrëveshje që përfitojnë qytetarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe Serbi dhe garanton sigurinë e tyre do të mbështetet nga Mbretëria e Bashkuar.
Megjithatë, progresi i ngadalshëm i kohëve të fundit në negociatat dhe zbatimin e angazhimeve ekzistuese është shqetësues. Përderisa kjo pasqyron realitetin e një periudhe me një qeveri të re në Kosovë dhe zgjedhjet në të dyja vendet, progresi në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që përfitojnë qytetarët e zakonshëm është thelbësor. Të dy vendet duhet të angazhohen në mirëbesim me procesin e dialogut dhe njëri-tjetrin.
Pjesë e kësaj do të thotë të pranosh se kompromisi, jo koncesioni, është i nevojshëm për të arritur një marrëveshje përfundimtare që kënaq të dyja palët dhe qytetarët e tyre. Sfera publike dhe politike duhet ta kuptojnë dhe ta pranojnë këtë. Unë jam gjithashtu i shqetësuar për retorikën e përdorur nga përfaqësuesit e të dy vendeve para dhe pas takimeve të dialogut. Kjo mbyll hapësirën për negociata dhe kufizon potencialin për ndryshim”, u shpreh Abbott.