Tri vendet që nuk e kanë mbështetur Ballkanin e Hapur diskutuan rreth kësaj nisme në një konferencë online. Diskutimi se a është “Open Ballkan” një devijim i integrimit në Bashkimin Evropian apo një nismë që përshpejton përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe të BE-së, mblodhi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, si dhe zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Kryeministri Kurti në këtë takim theksoi se e mbështetë Procesin e Berlinit, anise është vetë ai që i shpërfilli disa nga marrëveshjet që dilnin pikërisht nga ky proces, si Marrëveshjen për Lirinë e Qarkullimit dhe Marrëveshjen për Njohjen e Diplomave të disa profesioneve.
E lidhur me këtë deklaratë të Kurtit dhe shpërfilljet e tij karshi Procesit të Berlinit, njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, ka thënë se kryeministri Kurti ka një problem, atë të qasjes selektive në politikën e jashtme ndaj proceseve gjeopolitike.
Sipas Muhaxhirit, është e patolerueshme që një lider të pranojë vetëm elementet që i konvenojnë.
“Njëri ndër problemet kryesore të kryeministrit Kurti në idenë e tij për politikën e jashtme është qasja selektive ndaj proceseve gjeopolitike dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Në këtë fushë të veprimit është krejtësisht e patolerueshme që një lider të dëshirojë t’i pranojë vetëm elementet të cilat i konvenojnë, duke i refuzuar të tjerat. Kësisoj pamundësohet elasticiteti diplomatik dhe krijimi i hapësirave për kompromise normale, që janë themel i dinamikave progresive politike’’, thotë Muhaxhiri për Demokracia.com.
Sipas Muhaxhirit, kokëfortësia e Kurtit është e dëmshme për vendin dhe çon në bllokadë izoluese të shoqërisë dhe shtetit.
“Asnjë dashamirës realist i shtetndërtimit kosovar nuk kërkon nga kryeministri Kurti që të pranojë marrëveshje të cilat e cenojnë funksionalitetin e sistemit tonë sociopolitik. Por, kundërshtimi kokëfortë dhe i paalternativë i kërkesave specifike të aleatëve jetikë është rruga më e dëmshme, sepse pashmangshmërisht shpie në bllokadë izoluese të shoqërisë dhe shtetit tonë’’, thotë ai.
Procesi i Berlinit është i rëndësishëm dhe duhet të jetë ndikues e afatgjatë, sipas Muhaxhirit, pa u shndërruar në formalitet të thjeshtë.
“Ky projekt është shumë i rëndësishëm për t’u shndërruar në formalitet të thjeshtë, prandaj revitalizohet në kohën kur krijohen hapësira të përshtatshme për zhvillime kualitative. Vetëkuptohet që konferencat vjetore koordinohen me lëvizje tjera brenda agjendave komplekse të BE-së’’, tha ai.
Mirëpo, nëse ‘Minishengeni Ballkani’ apo tanimë ‘Open Balkan’ erdhi si dështim i Procesit të Berlinit, këtë nuk e mendon Muhaxhiri.
Ndonëse këto dy nisma shihen si ndihmëse për rrugëtimin e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Europian, Muhaxhiri thotë se ‘Open Ballkan’ është më e sofistikuar si mënyrë e bashkëpunimeve ndërshtetërore.
“Ballkani i Hapur është menduar si sofistikim i mënyrave të bashkëpunimeve ndërshtetërore ballkanase dhe delegim gradual i një pjese të përgjegjësive integruese nga BE-ja tek akterët rajonale. Procesi i Berlinit është format i orientimeve strategjike, ku liderë europianë performojnë me ceremoni përcjellëse, ndërsa Ballkani i Hapur konsiderohet si zgjatim konkretizues i tij, duke u fokusuar në kërkim të udhëve për tejkalim të pengesave burokratiko-logjistike ballkanike. Janë procese të ndërlidhura, me veçantitë përkatëse që synojnë përplotësime reciproke’’, tha Muhaxhiri.
Në anën tjetër, Teutë Rrusta nga Partia Socialdemokrate (PSD), ka thënë se nisma e ‘Open Balkan’ nuk e ka as përkrahjen e Bashkimit Evropian dhe as nuk ka qasje të barabartë për popujt e Ballkanit.
“Open Balkan përbën një reagim ndaj pezullimit të integrimit më tepër sesa vetëm të dështimit apo ngadalësimit të Procesit të Berlinit. Për më tepër, Open Balkan nuk e ka as përkrahjen e Bashkimit Evropian. Duke mos pasur një qasje barazitare në statusin e popujve të Ballkanit, rreziku është që përsëri krijohen struktura të reja pushteti që ruajnë ndasitë qendër – periferi. Ballkani ka nevojë për një model të majtë të bashkëpunimit rajonal’’, thotë Rrusta.
Ngecjen e Procesit të Berlinit, Teutë Rrusta e lidh me reflektimin e ‘plogështisë’ së Bashkimit Evropian, e cila, sipas saj, nuk mund ta ripërkufizojë atë që në të vërtet qëndron.
“Problemi me procesin e Berlinit qëndron tek fakti se qartazi ka një dinamikë të ngadalësuar. Por përtej këtij fakti, ka një ngecje në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Procesi si i tillë nuk mund të ecën përkundër projektit të BE. E kjo e fundit ka nevojë për ripërkufizim se për çka qëndron. Plogështia e BE reflekton edhe në procese si ky i Berlinit’’, thotë ajo.
Ndërsa, lidhur me deklaratën e fundit të kryeministrit Kurti, Rrusta thotë se mungesa e një llogaridhënie nga ana e Bashkimit Evropian i lë hapësirë edhe vetë Kurtit që të manipulojë dhe shpërfillë disa nga marrëveshjet që sjell ky proces, porse edhe kjo shpërfillje, sipas saj, është e përkohshme.
“Në mungesë të një perspektive për Ballkanin, BE nuk e bënë as presionin e as kërkon llogaridhënie precize për këto tema, rrjedhimisht, Kurti përfiton nga kjo dhe ka hapësirën e manipulimit deri në një masë. Ai është deklaruar disa herë që mbështet këtë proces, rrjedhimisht “rezistenca” apo shpërfillja përballë marrëveshjeve është e përkohshme dhe joparimore’’, përfundoi Rrusta.
Kujtojmë se përveç Kosovës, edhe Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina janë kundër “Open Ballkan”, duke e konsideruar nismën si një devijim të integrimit në Bashkimin Evropian dhe duke mos pranuar të jenë pjesë të saj, ku tashmë kanë pranuar të jenë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.