Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish për “Open Ballkan”, thotë se nuk mund të ketë një të tillë derisa Serbia është e mbyllur.
Ai në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda”, ka deklaruar se Ballkani i Hapur më shumë i ngjan një Ballkani që është i hapur ndaj ndikimeve nga Lindja.
“Nuk mund të kemi Ballkan të Hapur derisa Serbia të jetë e mbyllur për Kosovën, derisa të mos na pranojë pasaportat, dokumentet e identifikimit, diplomat, certifikatat dhe vulat e Kosovës. Ballkani i Hapur më shumë i ngjan një Ballkani që është i hapur ndaj ndikimeve nga Lindja, veçanërisht nga Federata Ruse dhe Kina; e hapur ndaj autokracisë, korrupsionit, kriminelëve të luftës… Të gjitha këto në kundërshtim me vlerat evropiane të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, thotë Kurti.
Ai ka shtuar më tej se në një farë mënyre, nga këndvështrimi i Serbisë, Ballkani i Hapur do të thotë që vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbeten të hapura ndaj Federatës Ruse dhe Kinës ashtu siç është e hapur Serbia.
“Kosova e kundërshton këtë synim, duke insistuar se Evropa është kontinenti ynë dhe BE-ja është fati ynë”, ka deklaruar Kurti.