Lulzim Basha është kreu i tretë i opozitës, që merret i pandehur nga Prokuroria.
Në dy herët e tjera, vendimet për hetimet e politikanëve të lartë të opozitës kanë rezultuar qartësisht të ndikuara politikisht.
Për herë të parë, i pandehur është marrë Fatos Nano. I akuzuar për shpërdorimin e ndihmave italiane pas vitit 1990, Nano u bë i pari lider i opozitës që u hetua, iu hoq imuniteti dhe u dënua.
Më pas, i pandehur është marrë Sali Berisha, pas vitit 1997. Atij iu hoq imuniteti, por nuk pranoi të depononte në Prokurorinë e socialistëve.
I akuzuar për krime gjatë kohës si President, Berisha nuk u dënua.Në rastin e Lulzim Bashës, gjërat duket se janë më ndryshe.
Basha bashkë me deputetët e opozitës kanë hequr dorë nga mbrojtja me imunitet, duke dorëzuar mandatin e deputetit.
Prokurori e ka më të thjeshtë edhe arrestimin e tij.
Sidoqoftë, Basha i është bashkuar tashmë grupit të kryeopozitarëve të hetuar nga Prokuroria, edhe pse rasti i fundit ishte para 22 vitesh.
Duket se heqja dorë nga imuniteti po i shërben të dy palëve.
Opozitës për të treguar se nuk ka frikë nga asnjë hetim, dhe palës tjetër që po shfrytëzon maksimalisht mungesën e mbrojtjes si deputet.