Pas takimit të katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, kryeministri i vendit, Albin Kurti, është pritur në takim nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit thuhet se së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministren, njëherësh ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schëarz, kryeministri ia shprehu Von der Leyen mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen që Bashkimi Evropian ka dhënë për zhvillimin e vendit.
“Kryeministri Kurti e njoftoi për reformat e ndërmarra në drejtësi, për angazhimet e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, luftën e pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit, si dhe reformat kyçe për zhvillim dhe përafrim me Bashkimin Evropian. Ai e njoftoi Presidenten e Komisionit Evropian për rritjen ekonomike, rritjen e eksportit, të të hyrave tatimore dhe investimeve direkte në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, biseda u fokusua në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin në mes të vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit.