Hysni Gucati ka vazhduar sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë lidhur me akuzat që rëndojnë mbi të.
Pas më shumë se një vit qëndrimi në paraburgim në Hagë, ish-pjesëtari i UÇK-së Hysni Gucati është paraqitur në bankën e dëshmitarit para trupit gjykues.
Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, i akuzuari Gucati ka thënë se pasi që hetuesit e Speciales kanë shkuar në zyrat e organizatës e ka kuptuar që dokumentet mund të jenë konfidenciale, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Aty, Gucati ka thënë se dokumentet të cilat kishin arritur nga një person i panjohur në zyrat e organizatës nuk janë kopjuar nga asnjë zyrtar i OVL-UÇK.
“Deri vonë nuk e kam parë konfidenciale që ka shënuar por unë kam thënë që ato dokumente nuk e kemi parë të arsyeshme që ne të jemi sigurim i atyre dokumenteve apo t’i ruajmë sepse nuk kanë qenë dokumentet tona. Me më pas thënë dikush që dalin dokumentacione nga Gjykata Speciale nuk kisha besuar, kjo është arsyeja dhe prapë nuk besoj si ka qenë e mundur që këto dokumente të dalin nga zyrat tuaja, kjo mund të jetë ndonjë lajthitje, ndonjë kurth që na keni bërë neve apo ndonjë prapavijë që ju e dini më mirë se ne, kështu unë mendoj”, ka thënë Gucati.
Derisa i është përgjigjur pyetjeve të prokurores Valeria Bolici, Gucati ka thënë se një hetues i Speciales, i cili fliste shqip, se ka shkuar në OVL-UÇK për t’i marrë dokumentet dhe i ka thënë se një gjë të tillë e bënë pas verifikimit që ato janë të Speciales.
Aty, ai thotë të jetë bërë pranim dorëzimi me një letër të cilën e kanë nënshkruar, por mohon të ketë pasur edhe një tjetër urdhër që i ndalon të publikojnë dokumente të tilla, shkruan Reporteri.net.
“Letër të shkruar nuk kam pas, me gojë më ka thënë hetuesi i juaj që fliste shqip më ka thënë me gojë në mes të katër syve kemi qenë duke pirë kafe, ka qenë edhe një hetues suedez edhe një përkthyes. Hetuesi juaj më thotë është e ndaluar që të shumëzohen dokumentacione dhe të shpërndahen, me gojë jo diçka me shkrim, me shkrim ka qenë urdhri për ta marrë dokumentacionin dhe në dokumentacionin e majtë që thash më herët që është në dorën e majtë të Tomës është dorëzim-pranimi i dokumenteve, kjo është krejt”, ka thënë ai.
Teksa u pyet se a ka parë emra të dëshmitarëve shqiptarë në dokumentet e Speciales, Gucati e mohoi. Por një gjë e tillë nuk është kuptuar nga prokurorja e rastit.Ajo ka vazhduar që të insistojë në pyetjet ndaj Gucatit.
Gucati pastaj i ka sugjeruar që të marrin një njohës të gjuhës shqipe që t’ua sqarojë fjalitë.
“Jo shqiptar, se duhet me thënë po shqiptar i bie që po. Kjo është fjala dhe teksti në gjuhën shqipe. Jo shqiptar. Nëse them po shqiptar i bien që po është e vërtetë. Por unë po thom jo shqiptar. Ju lutem, mos ma ngatërroni se gjuhën shqipe të paktën e di shumë mirë sepse babë edhe nënë i kam shqiptar. Kam lind shqiptar. Jam shqiptar. Thirreni një gjuhëtar të gjuhës shqipe dhe mundet që këtë fjalinë time t’ua shpjegojë shumë mirë”, ka thënë ai.
Kreu i OVL-UÇK-së ka thënë se në dokumente ka parë emra të prokurorëve të Gjykatës Speciale dhe bashkëpunimin që kanë pasur ata me gjykatën serbe.
”Ato dokumentacione ne nuk i kemi kontrolluar të gjitha një nga një. Diku 7-8 faqe deri në 12 i ka kontrolluar. Kam vënë re emra të prokurorëve të Gjykatës Speciale dhe bashkëpunimin e tyre me gjykatën serbe. I kam vënë re”, ka thënë më tutje Gucati.
Gucati deklaroi se i ka parë që dokumentet janë të serbëve, por se nuk i kujtohet logoja qe kanë pasur ato dokumente, shkruan Reporteri.net.
”Dokumentet kanë qenë të serbëve. Te jem i sinqertë logoja cila ka qenë. Mund të jetë por mua nuk më kujtohet. Mu më ka interesuar më shumë bashkëpunëtorët që kanë bashkëpunuar me të. Numri rendor ose protokolli nuk më ka interesuar që ta shikojë”, ka shtuar Gucati.
Seanca gjyqësore në rastin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt ka përfunduar sot më herët për shkak të problemeve teknike në Dhomat e Specializuara.
Pas pauzës ishte paraparë të vazhdojë dëshminë ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, por Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se për shkak të vështirësive për video-lidhje mes sallës së gjyqit dhe njësisë së paraburgimit në Hagë, seanca do të vazhdojë nesër.
Derisa Hysni Gucati ka dëshmuar në sallën e gjyqit, Nasim Haradinaj e ka ndjekur seancën në distancë për shkak të infektimit me koronavirus.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. /Reporteri.net/