×
  • Lajme
  • Botë

    Pronarët e bizneseve në Turqi, të shqetësuar nga zhvlerësimi i lirës

    Reporteri
    07 Dhjetor 2021 | 23:58

    Më 30 nëntor, lira turke arriti normën e saj më të ulët që nga viti 1994, prej 14 lirash kundrejt dollarit amerikan. Ky është një zhvlerësim i madh krahasuar me tremujorin e fundit të një viti më parë, kur një dollar amerikan shkëmbehej mesatarisht me 8 lira turke.

    Pronarët e bizneseve në Turqi thonë se është e vështirë të vazhdohet puna në këtë mjedis, sepse zhvlerësimi i lirës ka bërë që çmimet të rriten shumë.

    “Në këto ditë tregu është plotësisht i bllokuar. Jemi vërtet në një pozitë, ku nuk mund të bëjmë biznes. Kjo është kuptuar edhe nga konsumatorët tanë”, thotë Husamettin Akinci, pronar i një dyqani celularësh.

    Çmimet e mallrave bazë si mielli, vaji dhe sheqeri janë rritur në të gjithë vendin.

    “Kemi rritur çmimin e bukës me 21% ndërsa shpenzimet tona janë rritur me 40%. Tani për tani, ne thjesht po përpiqemi të ruajmë jetesën tonë”, thotë Huseyin Sagir, pronar i një furre buke.

    Zhvlerësimi i lirës turke kundrejt dollarit amerikan po ndikon në një gamë të gjerë biznesesh, përfshirë sektorin e ndërtimit, sepse çmimet e materialeve janë në dollarë.

    “Rritja e vlerës së dollarit ndikoi drejtpërdrejt në çmimin e hekurit, çimentos dhe blloqeve të ndërtimit. Duke qenë se këto u prekën drejtpërdrejt, kontraktorët ngadalësuan biznesin e tyre në industrinë e ndërtimit. Niveli i shitjeve bie në mënyrë të pashmangshme dhe kjo ngadalëson biznesin e tyre”, thotë Hisman Ozer, furnizues i materialeve të ndërtimit.

    Ekspertët thonë se zhvlerësimi i ri i lirës u shkaktua nga njoftimi i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan se ai do të ulte normat e interesit.

    Banka Qendrore e Turqisë ka ulur tashmë tre herë normat e interesit që nga shtatori sipas direktivave të zotit Erdogan, duke ringjallur frikën për pavarësinë e bankës.

    “Bota e di se nuk i dua normat e larta të interesit. Unë kurrë nuk kam qenë mbështetës i normave të larta të interesit dhe nuk do të jem mbështetës i rritjes së tyre”, tha presidenti turk.

    Zoti Erdogan beson se normat e larta të interesit po shkaktojnë inflacion. Mbajtja e normave të interesit në nivele të ulëta, thotë ai, do të stimulojë rritjen ekonomike.

    Por disa analistë thonë se pikëpamjet e zotit Erdogan janë jokonvencionale, duke patur parasysh se norma e inflacionit të vendit është mbi 21%, bazuar në raportin e zyrës së statistikave të Turqisë, të publikuar më 3 dhjetor.

    “Nuk është në të vërtetë një çështje ekonomike. Ajo vjen nga diku tjetër. Nuk vjen nga ekonomia, sepse në ekonomi, ne të gjithë e dimë se nëse rrit sasinë monetare në qarkullim, rritet inflacioni dhe më pas gjëja e fundit që ndodh është rritja e normave të interesit. Pra, kjo është një sekuencë normale. Ai e ka përmbysur këtë sekuencë”, thotë Steve Hanke, profesor i ekonomisë në Universitetin Johns Hopkins.

    Pavarësisht rënies së vlerës së monedhës me gati 45 për qind këtë vit, të dhënat zyrtare tregojnë se ekonomia e Turqisë u rrit me 7.4 për qind në tremujorin e tretë.

    Presidenti Erdogan e sheh këtë si një sukses të politikës së tij, por ekspertët paralajmërojnë se rënia e lirës dhe rritja e çmimeve mund të frenojnë rritjen ekonomike.

    “Nëse qeveria nuk ndryshon politikën e saj, lira do të vazhdojë të bjerë dhe inflacioni do të vazhdojë të rritet. Kjo do të shkaktojë rritjen e tensioneve në publikun e gjerë”, thotë profesori Steve Hanke.

    Në shumë qytete, përfshirë Stambollin, ka patur protesta kundër zhvlerësimit të lirës turke, në të cilat u kërkua edhe dorëheqja e qeverisë.

    Grupet e opozitës kanë bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, por presidenti Erdogan deri më tani i ka hedhur poshtë ato, duke këmbëngulur se vendi do të mbajë zgjedhjet në vitin 2023, ashtu siç ishte planifikuar.

    Ndërkohë, pronarët e bizneseve presin me shqetësim reagimin e tregjeve ndaj politikave të qeverisë për normat e interesit./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!