×
  • Lajme
  • Lajme

    Pse në Samitin e Demokracisë u ftua presidentja Vjosa Osmani e jo kryeministri Albin Kurti?

    Reporteri
    09 Dhjetor 2021 | 17:07

    Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani në Samitin për Demokraci të organizuar nga presidenti amerikan Joseph Biden, por jo kryeministri Albin Kurti, edhe pse Kosova është republikë që pushtetin e ka të fokusuar te kryeministri, ndërsa presidenti në masë të madhe ka rol ceremonial. Madje ka qenë vetë zoti Kurti që në një rast duke folur për rolin e presidentit Hashim Thaçi, pati deklaruar se presidenti në Kosovë është vetëm noter.

    Shumica e vendeve të rajonit në këtë samit janë përfaqësuar në nivel kryeministrash, por jo edhe Kosova, e cila u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani. Shqipëria, Mali i Zi, dhe Kroacia në këtë samit janë përfaqësuar nga kryeministrat. Ndërsa Serbia dhe Maqedonia nga presidentët, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Kryeministri i Malit të Zi, Dravko Krivokapiq
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

    Për Maqedoninë dhe Serbinë mund t’i dimë arsyet. Maqedonia momentalisht është pa kryeministër, pasi Zoran Zaev ka dhënë dorëheqje pas humbjes që partia e tij pësoi në zgjedhjet lokale.

    Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski

    Ndërsa Serbia ka sistem politik të fokusuar te presidenti, e shto këtu edhe faktin se Aleksandar Vuçiq, përveç që është president, është edhe lider i partisë e cila udhëheq edhe me qeverinë e këtij vendi.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq
    Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq

    Në Kosovë dihet se Albin Kurti, përveç që bartë postin më me peshë të pushtetit, ai përfaqëson edhe partinë më të madhe në vend. Megjithatë, kjo nuk ka ndikuar që Kurti të jetë lideri politik që përfaqëson Kosovën në këtë samit jashtëzakonisht të rëndësishëm të aleancave të shteteve në botë.

    Gjithashtu, duhet kujtuar se kryeministri Albin Kurti, vetë kishte paralajmëruar se do të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit nëntor të këtij viti, por kjo nuk ndodhi. Përveç kësaj, në fillim Kosova nuk ishte ftuar fare në këtë samit, por pas vizitës së presidentes Vjosa Osmani në ShBA, në listën e të ftuarve u fut edhe Kosova.

    Nga e gjithë kjo, me të drejtë mund të ngritët pyetja, të cilës të paktën edhe për pak kohë nuk mund t’i jap përgjigje askush: A po e llogarisin Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleat kryeministrin Albin Kurti, apo jo? Kjo pyetje merr edhe më shumë legjitimitet, kur dihet se për shumë kohë sa ishte në opozitë, Kurti shihej si pengues i politikave amerikane në Kosovë, dhe për shumë kohë e kishte ‘të mbyllur’ derën e Ambasadës Amerikane në Prishtinë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!