Dje u publikua dokumenti i ShBA-së mbi sanksionet që ata i kanë bërë personave që lidhen me kriminin e organizuar në veri të vendit.
Milan Radojçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.
Por, një kohë i shumëkërkuari nga organet e rendit Milan Radojçiq, që tash gjendet në listën e sanksioneve të ShBA-së, me kërkesë të Prokurorisë Speciale i ishte tërhequr fletarresti me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sot e asaj dite ende nuk dihet kush ishte gjyqtari që kishte tërhequr fletarrestin dhe as prokurori që e kishte kërkuar atë.
“Gjykata më datë 19.02.2021 e ka pranuar kërkesën për tërheqjen e urdhër arrestit nga Prokuroria Speciale të datës 19.02.2021 me arsyetimin se duke u bazuar në të dhënat e raportit të Policisë së Kosovës për përfshirjen e të dyshuarit Milan Radoiçiq në kryerjen e veprave tjera penale dhe fakti se që nga koha e lëshimit të urdhër-arrestit të parë, nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhej në vendim.
Sipas gjykatës pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhërarestit ndaj të dyshuarit, kishte konstatuar se kërkesa është e arsyetuar mirë dhe e bazuar konform dispozitës së nenit 173 paragrafi 3 të KPPRK-së.
Më 23 nëntor të vitit të 2018, Policia e Kosovës zhvilloi një operacion të kërkimit në veri të vendit me qëllim të arrestimit të Milan Radoiçiq i cili nuk u gjet në vendqëndrimin e tij ndërsa gjatë këtij operacioni u arrestuan katër persona.