Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka folur për sanksionet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën ndaj dhjetëra personave dhe subjekteve në të gjithë Evropën, duke përfshirë këtu edhe një grup të krimit të organizuar që veprojnë kryesisht në veriun e Kosovës.
Kurti tha se sanksionet e SHBA-ve mbi këta individë treguan qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitetit në veri, shkruan Reporteri.net.
Ai paralajmëroi se do të hetohen edhe lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional.
“Që nga ardhja jonë në qeverisje kemi treguar përkushtim. Policia e Kosovës ka realizuar mbi 500 operacione duke shkatërruar 41 grupe kriminale. Luftën kundër kriminalitetit po e bëjmë në bashkëpunim me aleatët e partnerët tanë ndërkombëtarë përfshirë këtu edhe në veriun e Kosovës. Ne kemi mirëpritur vendimin e fundit për sanksionimin e personave me dosje kriminale.
“Sanksionet e SHBA-ve mbi këta individë treguan qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitetit. Republika e Kosovë është e përcaktuar qartë në luftimin e korrupsionit dhe krimit në çdo pjesë të vendit. Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional ne do tu përgjigjemi me luftë të përbashkët”, tha kryeministri Kurti. /Reporteri.net