×
  • Lajme
  • Lajme

    Mosnjohja e diplomave të Kosovës nga Serbia, temë diskutimi mes Kurtit dhe kryetarit të Bujanocit

    Reporteri
    11 Dhjetor 2021 | 16:10

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifin.

    Kryetari Arifi e falënderoi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për buxhetimin e 2 milionë eurove për komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

    Në takim u diskutua për problemet me të cilat po përballen qytetarët shqiptarë dhe Arifi shprehu shqetësimin për vazhdimin e shlyerjes së tyre nga regjistri civil.

    “Në Serbi ekziston ligji për shlyerjen e qytetarëve nga regjistri civil nëse nuk banojnë në adresat të cilat i kanë të paraqitura, por kjo shlyerje apo pasivizim, po ndodh në mënyrë selektive dhe nga kjo më së shumti pësojnë qytetarët shqiptarë. Për ne ky veprim i politikës serbe paraqet tendencë për ndryshimin demografik të komunave me shumicë shqiptare, tha Arifi.

    Teksa u shpreh mirënjohës për subvencionimin nga Qeveria të specializantëve që deri më tani ishin me vetëfinancim, Arifi theksoi problemin e mosnjohjes nga Serbia të diplomave të Republikës së Kosovës, që po e pamundëson punësimin e të diplomuarve dhe po nxit migrimin e profesionistëve në vendet perëndimore.

    Për çështjen e diplomave, certifikatave, patent shoferëve e lejenjoftimeve është duke u insistuar në Bruksel, por Serbia vazhdon të refuzojë të njohë dokumentet zyrtare të Republikës së Kosovës.

    Në takim ishin të pranishëm edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni e Avni Dehari, dhe babai i aktivistit të vrarë të LVV-së, Arben Xheladini, Shaban Xheladini.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!