Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë Veriore sot zgjodhi kryetarin e saj, pas dorëheqjes së Zoran Zaev nga posti i drejtuesit të partisë dhe i kryeministrit të vendit.
Lideri i ri i partisë u zgjodh Dimitar Kovaçevski, i cili ishte në garë me Frosina Remenski, ish-ministre dhe Jovan Despotovski, drejtor i një agjencie publike.
Drejtuesi i ri social-demokrat pritet të marrë edhe mandatin për formimin e qeverisë së re, përkatësisht të një riformatimi të pritshëm të kabinetit, ku krahas LSDM-së me partnerët e saj të vegjël dhe Bashkimit Demokratik për Integrim e Partisë Demokratike Shqiptare, do të përfshihet edhe partia Alternativa.
Kryeministri në largim Zaev menjëherë pas rezultateve të balotazhit të zgjedhjeve lokale më 31 tetor paralajmëroi se dorëhiqet nga posti i kryetarit të partisë dhe i kryeministrit për shkak të humbjes në zgjedhje. Ai, megjithatë dorëheqjen nuk e zyrtarizoi në parlament, ku për rrjedhojë pati një mocion mosbesimi nga opozita, por që rezultoi pa sukses.
Zaev qëndroi për tetë vjet në krye të partisë. Ndërkohë, partia tjetër më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE e opozitës po sot rizgjodhi kryetarin aktual, Hristijan Mickovski për një mandat të dytë si kryetar./tch