×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryetari i Bujanovcit: Gërvalla dhe Kurti na kanë premtuar se çështja e Luginës së Preshevës do të diskutohet në Bruksel

    Reporteri
    16 Dhjetor 2021 | 19:17

    Nagip Arifi, kryetar i Bujanovcit, foli për vizitën e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në Luginën e Preshevës, duke treguar se e ka njoftuar ministren me situatën politike, ekonomike dhe sociale në Luginën e Preshevës, si dhe me problemet tjera që po i hasin shqiptarët në Serbi.

    “E kam njoftuar për gjendjen që po mbretëron sa i përket pasivizimit të kërkesave të shqiptarëve të luginës, moszhvillimin ekonomik, mospranimin e diplomave, që të rinjtë i fitojnë në universitetet e Kosovës, problemet e mirëqenies sociale dhe moskyçjen e shqiptarëve të Luginës në organet e Serbisë”, tha Arifi në Klan Kosova.

    “Me këto masa, Serbia do që shqiptarët t’i zvogëlojë sa më shumë në numër dhe të nesërmen ta pastrojë këtë vend nga shqiptarët”, u shpreh tutje kryetari i Bujanovcit.

    “Kemi kërkuar që problemi i Luginës të diskutohet në BE, të zbatohet parimi i reciprocitetit, ku të drejtat që i kanë serbët në Kosovë të zbatohen edhe për shqiptarët në Serbi”.

    Tutje Arifi tregoi se para disa ditësh ka takuar kryeministrin Kurti.

    “Neve na duket që Kosova dhe Shqipëria nuk janë duke e trajtuar çështjen e shqiptarëve të Luginës sa duhet”, u shpreh ai.

    “Gërvalla dhe Kurti na kanë premtuar që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të vendoset apo diskutohet në takimin e ardhshëm në Bruksel”, tha Arifi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!