Ambasadori i Ukrainës në Izrael, Yevhen Korniychuk, tha një ditë më parë se vendi i tij është në diskutimet finale mbi vendimin për të hapur një degë të ambasadës së saj në Jerusalem.
Duke folur në ngjarjen dyditore për të shënuar 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, Korniychuk tha: “Vendi im njeh kryeqytetin e vetëm të Izraelit dhe ai është Jerusalemi”.
Njoftimi erdhi pasi ministri i Çështjeve dhe Strehimit të Jerusalemit, Ze’ev Elkin, i lindur në Ukrainë, iu drejtua të njëjtës ngjarje. Elkin shprehu shpresën e tij që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të hapte një degë ambasade në Jerusalem, raporton mediumi izraelit “Al-Monitor”.
Më vonë, i dërguari ukrainas sqaroi se ende nuk është marrë një vendim. Ai e kishte diskutuar këtë çështje me Zelenskyn tetorin e kaluar dhe tani vlerëson se një vendim përfundimtar është çështje muajsh. “Sapo të marr lejen, do ta bëj menjëherë”, tha Korniychuk.
Ai vuri në dukje se dega, e cila do t’i kushtohet promovimit të bashkëpunimit ekonomik dhe teknologjik, mund të hapet vitin e ardhshëm, nëse dhe kur Zelensky të bëjë një vizitë zyrtare në Izrael. Megjithatë, Zelensky ka parakushte në lidhje me marrëdhëniet e sigurisë dhe mbrojtjes midis vendeve.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes Alexey Reznikov vizitoi Izraelin nëntorin e kaluar për takimin e 12-të të Komitetit të Përbashkët Ekonomik Izrael-Ukrainë. Raportet pas vizitës thanë se çështja e Jerusalemit u ngrit në takimet e ministrit.
Planet që Zelenskyt të vizitojë Izraelin dolën më herët këtë vit, më 6 tetor, kur presidenti Isaac Herzog vizitoi Ukrainën për një përkujtim të masakrës së Babi Yar, në të cilën forcat naziste vranë afro 34,000 hebrenj 80 vjet më parë. Ishte udhëtimi i parë zyrtar i Herzogut si president dhe Elkini e shoqëroi atë. Herzogu e ftoi Zelenskyn të vizitojë zyrtarisht Izraelin dhe presidenti ukrainas pranoi.
Duke folur më 15 dhjetor, Zelensky tha se ukrainasit dhe hebrenjtë “e dinë se si është të mos kesh një shtet tëndin. Ne e dimë se çfarë do të thotë të mbrosh shtetin dhe tokën tënde me armë në dorë, me çmimin e jetës sonë. Si ukrainasit ashtu edhe hebrenjtë e vlerësojnë lirinë dhe punojnë në mënyrë të barabartë që e ardhmja e shteteve tona të bëhet sipas dëshirës tonë dhe jo e ardhmja që të tjerët duan për ne. Izraeli është shpesh shembull për Ukrainën”.
Marrëdhëniet e Izraelit me Ukrainën janë diplomatikisht delikate mes tensioneve midis Ukrainës dhe Rusisë në Krime. Qeveria aktuale izraelite, ashtu si ajo e mëparshme, i konsideron lidhjet izraelito-ruse të një rëndësie të madhe strategjike. Ekziston një mekanizëm i vazhdueshëm i de-konfliktit i rënë dakord midis vendeve disa vite më parë për të shmangur tensionet në Siri. Të dyja ushtritë kujdesen që të mos hyjnë në asnjë konflikt ajror. Ekziston edhe çështja e Iranit dhe bisedimeve të Vjenës, në të cilat Rusia luan një rol kryesor. Kryeministri izraelit Naftali Bennett u takua më 22 tetor në Soçi me presidentin rus Vladimir Putin posaçërisht për të diskutuar mbi Sirinë dhe Iranin. Elkin e kishte shoqëruar Bennettin në atë udhëtim, duke shërbyer si këshilltar, njëlloj si kur Benjamin Netanyahu udhëtoi në Rusi si kryeministër, gjithashtu për t’u takuar me Putinin.
Izraeli u kushton shumë rëndësi vendeve që hapin misione diplomatike, kulturore dhe tregtare në Jerusalem, si hapi i parë përpara njohjes së plotë të Jerusalemit si kryeqyteti i vetëm i Izraelit. Për momentin, vetëm Shtetet e Bashkuara, Kosova, Guatemala dhe Hondurasi kanë hapur ambasada në Jerusalem. Kolumbia, Brazili, Republika Çeke dhe Hungaria kanë hapur misione gjysmë-diplomatike si zyra kulturore ose tregtare.