×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas vendimit të Kushtetueses, Telekomi shpreson të hetohet prej fillimit kontrata me Z-mobile

    Reporteri
    18 Dhjetor 2021 | 22:25

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur të paktën dy shkelje, në lidhje me vendimet e Gjykatës Themelore fillimisht, e më pas të Apelit e të Supremes, në lidhje me rastin e Telekomit vs Z-Mobile (Dardafon).

    Sipas Kushtetueses, gjykatat e lartëcekura nuk kanë marrë parasysh argumentet e Telekomit, të paraqitura pranë këtyre gjykatave, në çështjen e përmbarimit privat, që e kishte parashtruar kompania “Dardafon”, në pronë të së cilës ishte “Z – Mobile”.

    E Telekomi i Kosovës e ka përshëndetur Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin mes tyre dhe Z-Mobile, ani pse thotë se nuk janë plotësuar të gjitha pritshmëritë.

    Telekomi shpreh mendimin se shkeljet e konstatuara nga ana e Gjykatës Kushtetuese, zanafillën e kishin qysh në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë PPP.nr. 1486/19 të datës 6 korrik 2020, të cilat pastaj u legjitimuan së pari me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit Ac.nr. 3610/20 të datës 8 tetor 2020 dhe pastaj edhe me Aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës CML nr. 12/20 të datës 20 janar 2021.

    “Prandaj, pasi Gjykata Kushtetuese ka anuluar Aktvendimet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme, të cilat i kanë legjitimuar shkeljet e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Telekomi i Kosovës sh.a. shpreh qëndrimin se edhe Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë PPP.nr. 1486/19 i datës 06 korrik 2020, do të duhej të anulohet. Pavarësisht kësaj, Telekomi i Kosovës sh.a. shpreh pritshmëritë që në procedurën e përsëritur, Gjykata e Apelit do t’i shqyrtojë dhe vlerësojë me profesionalizëm dhe paanësi të gjitha pretendimet ankimore dhe do të marrë një Vendim në përputhje me konstatimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Telekomit.

    Telekomi i Kosovës beson se “ky është vetëm fillimi i vendosjes së drejtësisë lidhur me kontratën tashmë famëkeqe me Z-Mobile”.

    Kompania thotë se beson fuqishëm dhe është e bindur se “organet e drejtësisë do të fillojnë ta hulumtojnë prej fillimit këtë kontratë, e cila i ka shkaktuar dëme qindra milionëshe Telekomit”.

    “Gjithashtu, shpresojmë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë një moment i ri dhe një shtysë e re për institucionet tona të drejtësisë, që Telekomit të Kosovës sh.a. përmes një procesi të ardhshëm gjyqësor, t’i kompensohet dëmi i shkaktuar ndër vite nga kontrata me Z-Mobile”, ka përfunduar reagimi i Telekomit të Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!