Pasta ravioli, linguini, e canneloni të shoqëruar me verëra kanë qenë pjesë e drekës të cilën kabineti i kryeministrit Albin Kurti e ka shtuar për disa miq ndërkombëtarë.
Më 16 shtator, kabineti i Kurtit kishte shtruar një darkë prej 157 eurove për t’i pritur Sir Suma Chakrabarti, ish-presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) dhe Anne-Laure Kiechel, kryeshefe ekzekutive e Global Sovereign Advisory (GSA).
KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, ka siguruar faturën e kësaj darke, për të cilën nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë që kanë qenë pjesë 8 persona.
Në këtë darkë ishin ngrënë dy exclusive canneloni në vlerë prej 14.63 euro, një linguini me karkaleca në vlerë prej 7.31 euro, si dhe tri ravioli me tartuf në vlerë prej 26.34 euro.
Në këtë darkë, të pranishmit kishin konsumuar edhe dy vera vendore, njëra në vlerë prej 18.52 euro si dhe tjetra 21.31 euro.
Ndonëse darka ishte organizuar nga kabineti i tij, vet kryeministri Kurti nuk kishte qenë pjesë e saj.
Sipas sqarimit të zyrës për media të qeverisë, të pranishëm në këtë darkë kanë qenë: Sir Suma Chakrabarti, ish-presidenti i BERZH-it; Mandeep Bains, bashkëpunetore e Sir Suma Chakrabarti; Sara Pantuliano, kryeshefe ekzekutive e Overseas Development Institute (ODI); Anne-Laure Kiechel, kryeshefe ekzekutive e Global Sovereign Advisory (GSA); Bardhyl Dobra, zëvendësministri i MPB-së; Nita Shala, zëvendësministrja e MD-së; Kaltrina Zeka, shefja e Kabinetit të zëvendeskryeministrit Besnik Bislimi si dhe Tienmu Ma, këshilltar i jashtëm politik i kryeministrit.