×
Opinione

Shpërfillja e testamentit

Reporteri
05 Janar 2022 | 15:48

Autor: Afrim Kasolli


Ka mbetur një “enigmë sfinksi” fakti se përse struktura drejtuese e PDK-së nuk po e kërkon rifillimin e punës së komisionit parlamentar për hetimin e procesit të privatizimit të iniciuar nga ish-kryetari Kadri Veseli. Aq më tepër kur sot në pushtet është një parti që një pjesë të madhe të karrierës dhe angazhimit politik të saj e ka ndërtuar mbi këtë kauzë. Duke e denoncuar këtë proces si kriminal dhe të korruptuar. Dhe nga këto sulme nuk është që s’ka përfituar edhe politikisht. Kjo fushatë e pati formuar një pjesë të rëndësishme të tharmit për shtim të trysninë publike. Margjinalizimi i kësaj teme sot, është i papranueshëm.

Hijet dhe prapaskenat e këtij zhvillimi mbase mund të qartësohen duke e nxjerrë në dritë të vërtetën që e shoqëroi këtë proces për gati dy dekada. Të kuptohet se kush ishte i implikuar në të? A ishin të përfshirë individë nga të gjitha partitë politike në Kosovë apo vetëm nga një parti? Kush përfitoi dhe kush humbi nga ky transformim i pronës? Cilat klane familjare të lidhura me pushtet politik e shfrytëzuan shansin dhe mundësinë për ta “feudalizuar” ekonominë e brishtë të Kosovës?

Zbardhja e këtij “misteri” është interes jetik për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e mëtutjeshëm të rendit demokratik. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i jepet fund një herë e përgjithmonë narracionit politik për këtë temë dhe dyshimeve që lidhen me të. Zvarritja nuk i zgjidh këto dilema. Përkundrazi, na mban peng në një rreth vicioz.

Nëse koniunktura aktuale e PDK-së e braktis këtë projekt pa asnjë arsyetim politik dhe pa e artikuluar asnjë argument se pse nuk ia vlen të ndiqet më tutje kjo agjendë, atëherë ajo distancohet në heshtje nga kauza kryesore e ish-kryetarit Veseli për të kuptuar dhe denoncuar përfitimet e paligjshme që kanë mundur të ndodhin në këtë proces. Një praktikë të tillë të ngjashme ish-kryetari Veseli e pati filluar edhe me inicimin e procedurës për lirimin e pronave të uzurpuara.

Në këtë aspekt, nëse nuk insistohet në vazhdimin e punës së komisionit në fjalë, atëherë mund të lindin dyshime se edhe kur e ka ndërmarrë këtë mision sa ka qenë drejtues i këtij formacioni politik, si i tillë paska qenë interes “personal” i ish- kryetarit Veseli dhe jo qëndrim kolektiv i partisë. Dhe po ashtu mund të supozohet se paska qenë insistim i tij se e kemi të pamundur të ecim tutje pa e kuptuar të vërtetën e plotë të privatizimit, pavarësisht kostos që mund ta kemi dhe jo qëndrim i përbashkët politik.

Kuptohet, ai ka qenë në gjendje ta shtyjë këtë agjendë për shkak të fuqisë dhe autoritetit politik që e ka gëzuar. Ndërkohë ata që s’janë pajtuar atëbotë me këtë projekt s’kanë pasur guxim ta ndalin atë hapur, por mospajtimin e tyre refuzues e kanë mbajtur të ndrydhur brenda vetes, duke e pritur shansin “ideal” dhe momentin “fatlum” kurdo që të qe e mundur, që të çliroheshin nga presioni i tij politik për ta “varrosur” këtë temë në sirtarët të administratës së Kuvendit. E që me heshtjen e tyre të ndikonin që kjo nismë të mbulohet nga pluhuri i harresës. Dhe në këtë mënyrë për të vazhduar me bindjen se thuajse s’ka ndodhur asgjë si dhe për ta aplikuar metodën duale edhe të flitet në mënyrë përciptë dhe formalisht për rend dhe ligj, luftë kundër korrupsionit dhe të mos diskutohet historia e njërit prej proceseve më të kontestuar, anatemuar e të ngarkuar me shumë akuza, afera dhe spekulime të llojllojshme që nga koha kur ka filluar e deri më sot.

Ndryshe nuk ka se si shpjegohet kjo indiferencë e çuditshme partiake dhe politike e PDK-së për kauzën që e pat filluar vetë ish-lideri i partisë. Shpërfillja e këtij testamenti është e pamundur të interpretohet në mënyrë racionale. Më shumë kjo sjellje duket se buron nga konsideratat taktike dhe strategjike në thelb të të cilave qëndron kalkulimi dhe përfitimi se sa nga imagjinata demokratike që angazhohet për krijimin e kushteve politike dhe juridike për t’i trajtuar të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë para ligjit. E para e shtron rrugën e kultivimit të frymës së oligarkisë politike dhe financiare e dyta atë shtetit ligjor.

Angazhimi për ta ndriçuar të vërtetën e procesit të privatizimit është testi kryesor i kësaj beteje. Rruga për ta çuar deri në fund këtë nismë është tashmë e hapur. Mjafton vetëm vullneti politik.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!