Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka bërë thirrje për siç e ka quajtur ai, reagim qytetar demokratik, ndaj punësimeve në bazë të përkatësisë partiake, që janë raportuar të kenë ndodhur masovikisht muajt e fundit.
Hoti, duke i quajtur plaçkitës të shtetit, ka bërë thirrje që të ndalohen këto veprime, shkruan Reporteri.net.
“Punësimet mbi baza politike e familjare në PTK nuk janë rast i izoluar. Sapo u publikua punësimi i rreth 60 personave në kompaninë “Pastrimi” të lidhur me AAK-në. Librezat partiake janë bërë “diplomë” për punësim në institucione shtetërore dhe ndërmarrje publike. Kjo qasje e koalicionit PAN i shkel të drejtat e 154 mijë personave të papunë, të ri e të reja, burra e gra, të diplomuar në fakultete e zanatlinj”, ka shkruar ai në facebook.
Tutje, për ish-kandidatin e LDK-së për kryeministër, përgjigja e Kryeministrit Ramush Haradinaj, se mund të ketë pasur ndikim indirekt në këto punësime, është skandaloze.
“Ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë kanë reaguar ashpër javën që shkoi. Ka ardhur koha për reagim qytetar demokratik për të ndaluar këta plaçkitës të shtetit. Çdo i papunë që vendos të reagojë në mënyrë demokratike ndaj këtyre plaçkitësve do të ketë mbështetjen time”, ka shtuar Avdullah Hoti në reagimin e tij.
Në javët e fundit, vazhdimisht janë raportuar punësimet e njerëzve të partive politike, kryesisht AAK e NISMA, që janë bërë nëpër institucionet shtetërore. /Reporteri.net/.