Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se Qeveria e Kosovës i ka ndihmuar të pasurit dhe bizneset me subvencionimin e energjisë elektrike. Ajo tha se barrën e shtrenjtimit të rrymës e bartin 20% të qytetarëve, të cilët sipas saj, do ta paguajnë energjinë elektrike “për komplet sektorin e biznesit dhe 80% të amvisërive.
Bajrami tha se ky vendim është jashtëzakonisht diskriminues.
“Qeveria ka vendosur që t’i rris subvencionet në 90 milionë euro të hyra dhe pjesën tjetër kush do e bartë? Do e bartin sipas ZRRE-së 20% të qytetarëve të Kosovës të cilët shpenzojnë energji elektrike më shumë se 800 kWh në muaj. Do të thotë Qeveria me 90 milionë vendos me e subvencionu energjinë elektrike për krejt sektorin privat, për 80% të ekonomive familjare, dhe barrën prej 160 milionë eurove e lë te 20% e qytetarëve, ose 125 mijë familje”, tha ajo.
Bajrami e pyeti Qeverinë se kush janë top-përfituesit e 90 milionë eurove që u ndanë për subvencionimin e energjisë elektrike.
Ajo tha se bordi i ZRRE-së duhet të japë dorëheqje pasi ka bërë shkelje të mëdha.
“Është vendimi më diskriminues që ka ndodh ndonjëherë prej institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. A po e shihin? Qeveria e 51 përqindëshit iu ka braktisur, ajo ka vendosur me 90 milionë euro t’i paguajë rrymën bizneseve. Cilat biznese? A janë ato top 50 bizneset që i pati publikuar Hekuran Murati. A mundet sot ministri me dalë me publiku listën e top 50 bizneseve që përfitojnë nga subvencionimi 90 milionësh”, ka thënë Bajrami në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.