Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike, gjë që po e bën të papërballueshme jetesën e qytetarëve të Kosovës.
Krasniqi nga foltorja e Kuvendit tha se këtë agjendë, Qeveria e realizoi përmes Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, një instrumenti që ligjërisht është i pavarur e praktikisht është në shërbim të agjendës politike të Qeverisë Kurti.
“Dje, kjo Zyre, nuk ndërmori një vendim të pavarur, por vulosi një vendim politik të propozuar në kurriz të qytetarëve nga mazhoranca e këtij Kuvendi. Nga deputetët e Vetëvendosjes dhe nga Ministrat dhe Qeveria e Vetëvendosjes. Nga kjo parti dhe një kryeministri që erdhi në pushtet duke premtuar pikërisht, zbritjen e këtij çmimi. Zyra e Rregullatorit të Energjisë, e cila me vendimin e saj, doli të jetë jo veç mbi Kuvendin, por edhe mbi kushtetutën e mbi sovranitetin, që i ndau qytetarët e Kosovës në subjekte të pabarabarta, duke iu qitë haraq disave, për të mbuluar koston e disa të tjerëve.”, tha ai.
Lideri i PDK-së e ritheksoi se përkundër paralajmërimeve drejtuar qeverisë për krizën, ajo e injoroi komplet atë dhe nuk ndërmori kurrfarë mase, duke pasuar me reduktime të ashpra dhe me rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
“Në këtë foltore, në këtë Kuvend para më shumë se një muaji pa e diskutuar ende askush ju kam thënë ju do ta rrisni çmimin e energjisë elektrike dhe sot diku 6 a po 7 javë më vonë, ne e jetojmë pasojën e këtij injorimi të Albin Kurtit dhe Qeverisë së tij. Debatin për atë se çka është dashtë të ndërmerret me kohë, e kemi shterur më herët dhe s’ka pasë efekt për qeverinë dhe kemi pasur të gjithë propozime shumë konkrete prej fundit të shtatorit, por pa asnjë efekt sepse qeveria zgjodhi të na injorojë jo vetëm neve në opozitë që i kishim dhënë propozime konkrete si të dilet nga kriza, po edhe injori qytetarët e Kosovës. Debatin për ta parandaluar këtë vendim që u ndërrmorr nga ZRRE-ja, qeveria përmes mazhorancës së vet, dje nuk e la as të shtrohet.
Kështu që tash na imponohet të flasim për realitetin e ri që ka krijuar kjo qeveri që nga dita e djeshme.”, tha Krasniqi. Ai tha se rritja e kostos së shërbimeve nuk është diçka që e pazakontë në kohë të caktuara, por ka disa parakushte që plotësohen në mënyrë që ajo kosto të mos e prishë balancin e jetesës, e jo duke i vënë qytetarët para aktit të kryer, të cilët faturën e muajt shkurt do ta paguajnë rreth 100% më shtrenjtë.
“Dhe është krejt e pritshme që kur një qeveri që s’ka as vizion ekonomik, as strategji për zhvillim, as për punësim, as për rritje të pagës minimale e as asaj mesatare, e në vend të të gjitha këtyre ka veç një zgjidhje: rritjen e kostos së shërbimeve në kurriz të qytetarëve, rritjen e çmimeve, të gjitha çmimeve duke përfshirë edhe çmimin e energjisë. Nuk ju jep tjetër zgjidhje qytetarëve, veçse me kërku largimin nga ky vend. Siç u pa, vetëm në dy muajt e fundit, mbi 100 mijë të rinjtë e të reja kanë kërkuar shpëtim larg Kosovës, duke trokitur në dyert e ambasadave të huaja.”, shtoi Krasniqi.
Krasniqi njoftoi se Partia Demokratike e Kosovës do ta kundërshtojë rritjen e çmimit të energjisë me çdo mjet ligjor, në çdo instancë gjyqësore dhe do të kërkojë shkarkimin e anëtarëve të Bordit të ZRRE-së, të cilët kanë shkelë barazinë e qytetarëve dhe kushtetutën e sovranitetin e vendit, sepse kjo nuk është betejë politike, por obligim komunitar të cilit do t’i shkojnë deri në fund.