Mbi 50 mjekë, specialistë të fushave të ndryshme në mbarë Kosovën, vazhdojnë të mos kenë faksimile valide të lëshuara nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
Së fundi, ky institucion, përmes një rregulloreje, obligon mantelbardhët që të përdorin vetëm vulën e lëshuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
Sipas tyre, shqetësimin e kanë ngritur edhe në bordin e SHSKUK-së.
E pasi stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë në këto vula nuk iu njoh thirrja akademike dhe ajo shkencore, ata thonë se kanë kërkuar që t’u lejohet përdorimi i dy llojeve të vulave.
Prodekani i Fakultetit të Mjekësisë, Ibrahim Rrudhani, thotë se ata presin që Oda e Mjekëve së shpejti ta zgjidhë këtë problem.
Mospërdorimi i vulave valide nga ana e disa mjekëve për shoqatën e pacientëve të Kosovës konsiderohet si e kundërligjshme, e cila mund t’i dëmtojë pacientët.
“Pas kësaj, përmes një shkrese zyrtare, janë njoftuar të gjitha njësitë përbërëse të SHSKUK-së të njoftojnë të gjithë të punësuarit që nuk janë rilicencuar në OMK, këtë ta bëjnë në një afat sa më të shkurtër, konform ligjeve në fuqi. Sa i përket përdorimit të faksimileve, është një fazë transitore, për të cilën kërkohet afat shtesë sepse përdorimi i faksimileve nuk është i rregulluar me ndonjë akt ligjor por vetëm me rregullore të Odës”, ka thënë Besim Kodra, nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve.
SHSKUK-ja, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se i ka udhëzuar njësitë përbërëse të tyre që të njoftojnë të punësuarit që nuk janë rilicencuar në Odën e Mjekëve, që këtë ta bëjnë në një afat sa më të shkurtër.
Ndërsa sa i përket përdorimit të faksimileve sipas SHSKUK-së, përdorimi i tyre nuk është i rregulluar me ndonjë akt ligjor, por vetëm me rregullore të Odës.
Ka më shumë se një muaj që Oda e Mjekëve të Kosovës ka obliguar mjekët që të përdorin vulat e autorizuara dhe të prodhuara nga ky institucion.
Ky vendim është marrë në mënyrë që mjekëve t’u pamundësohej që në vulat e tyre të shkruajnë specializime, për të cilat ata nuk ishin të kualifikuar.