Autor: Afrim Kasolli
Para pak ditësh, këngëtarja Leonora Jakupi u shfaq para publikut me këngën “Liria ka emër”. Qëllimi dhe motivi i kësaj performance shihet qartë se ishte solidarizimi me përfaqësuesit e UÇK-së që po mbahen në Hagë, të akuzuar nga Gjykata Speciale. Po ashtu, të sforcohet sensibiliteti shoqëror dhe individual mbi fatin e tyre. Sepse, ai s’është një fat thjesht personal. Por, ka edhe peshë historike, politike dhe kombëtare. Dhe tradicionalisht ka qenë në natyrën e krijimeve artistike që ta luajë një rol të tillë vetëdijesues .
Reprezentimi i të kaluarës epike të një populli i shërben ndërgjegjësimit kolektiv tij, si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen. Në fund të fundit, siç ka pohuar Hegeli në veprën e tij “Estetika”, gjatë përsiatjeve mbi natyrën e krijimeve epike, me anë të kësaj gjinie artistike “aksionet e kaluara heroike shndërrohen në fjalë”. Fjalët në kujtesë, imagjinatë dhe mendim dhe kështu mbahet gjallë trashëgimia e themeltareve të historisë. “Përdorimi” i artit për këto qëllime i përjetëson ngjarjet historike në memorien e një populli. Ai ndikon që ato të mos mbulohen nga “pluhuri i harresës”. Madje, historia e letërsisë evropiane pikënisjen e ka në këtë ndërmarrje. Iliada e Homerit është shembull paradigmatik i kësaj fryme.
Me këtë rast, nuk dyshoj te motivet e sinqerta që mund ta kenë nxitur Leonora Jakupin për këtë performancë. As në ndjeshmërinë e saj për luftën e UÇK-së. Kurse, a është kjo këngë nismë e saj personale, apo pjesë e fushatës “Liria ka emër”, fushatë kjo që nuk u dallua për asnjë impakt serioz shoqëror, kulturor, historik dhe politik, përpos disa promovimeve personale që e shfrytëzuan shansin për të dalë në “dritën” e opinionit publik nga “errësira” private, këtë nuk mund ta di.
Mirëpo, si teksti i këngës ashtu edhe mënyra e emetimit të saj, lënë shumë për të dëshiruar. Madje, mund të them se ajo nuk ia ka arritur ta transmetojë si duhet misionin për të cilën u krijua. Dhe në vend të fisnikërimit estetik shoqëror kjo këngë fqinjëron shumë më shumë me parametrat e kiçit estetik.
Dhe ky fenomen, mjerisht, nuk është s’e s’na ka shoqëruar shumë që nga paslufta e këndej. Efektet negative të kësaj tendence i ka elaboruar në mënyrë brilante ish-politikani dhe mendimtari i njohur Arben Xhaferi, në shkrimin e tij “Metastaza e Kiçit”. Në këtë shkrim ai tregon se si veprat e kësaj natyre “duke shfrytëzuar ndjenjat patriotike të popullatës kontrabandohen si vlera artistike, apo ato që nuk kanë vlera të tilla prodhohen vetëm për qëllime komerciale”.
Në këtë kontekst, në vend të një “mobilizimi” të duhur shoqëror dhe të mirëfilltë për karakterin e ngjarjes në fjalë, teksti i kësaj kënge çalon sa i përket mesazhit të tij kryesor. Për më tepër, shumë panevojshmërisht e orienton mllefin për këtë padrejtësi vetëm ndaj Evropës. Thuajse ajo është përgjegjësja kryesore e kësaj drame. Sepse, ajo ende nuk po ngopet me sasinë e gjakut të derdhur në këtë tokë. Prandaj, edhe po i vazhdon papushim intrigat e saj mbi kurrizin tonë.
Askush nuk e mohon se politika zyrtare e BE-së apo edhe vendeve të veçanta të këtij entiteti kushtëzohet nga interesat e tyre të ngushta politike dhe ekonomike. Dhe të shumtën e kohës këto interesa nuk shkojnë paralelisht me detyrimet universale të drejtësisë.
Prandaj, edhe ngarkesa të tilla shumë herë mund të mos jenë në favor tonin. Mirëpo, nuk mund të portretizohet ajo në tërësi si kryefajtore dhe atë me një gjuhë që i ngjason reminishencave ideologjike të diktaturës komuniste enveriste. Sepse, kjo qasje nuk i kontribuon ndriçimit të së vërtetës as për pozicionin tonë ku ndodhemi aktualisht dhe as arsyes se pse drejtuesit e UÇK-së ndodhen në Hagë.
Në fund të fundit, mirëmbajtja e raporteve miqësore edhe me vendet evropiane duhet të jetë detyrë konstante e institucioneve tona politike, kulturore dhe akademike etj. E informimit të tyre për atë se çka në të vërtetë ka ndodhur në Kosovë. Dhe jo angazhim episodik. E punës aktive për ta mbajtur vazhdimishtt prezente të vërtetën për ne. Pra e pasqyrimit historik, se si ishim viktima të një makine shtetërore vrastare të ngjizur mbi një projekt fashist gjenocidal. Në këtë drejtim mund të marrim shembull se si ende sot kësaj dite, prodhohen filma të shumtë artistikë, dokumentarë, këngë etj. që i pasqyrojnë krimet naziste mbi hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qëllimi i tyre është që të mos harrohen kurrë tmerret makabre të asaj ngjarjeje tragjike.
Rrjedhimisht, angazhimi për të dëshmuar pa pushim krimet e shtetit serb mbi popullsinë shqiptare në Kosovë para publikut evropian duhet të jetë një detyre imperative. Prandaj, shtrohet pyetja pse kemi dështuar ne qe 20 vite pas përfundimit të luftës ta prodhojmë të paktën një film të tillë për audiencën evropiane? Dhe mbase është pikërisht ky dështim që ka prodhuar jo pak pasoja për ne në planin ndërkombëtar.
Madje po ta marrim vet fushatën “Liria ka emër”, cilat janë efektet e saj ndërkombëtare? Sa arriti ajo ta mobilizojë opinionin publik evropian mbi qëllimet e kësaj nisme, për të mbrojtur pastërtinë e luftës së UÇK-së? Sa shkrimtarë, artistë, intelektualë, gazetarë, opinionistë evropianë ia doli që t’i aktivizojnë në favor të kësaj kauze? Sa ekspozita u promovuan në vendet e tjera ku do të dëshmoheshin me fotografi krimet e shtetit serb mbi ne. Asnjë. Krejt puna e tyre u reduktua në improvizimin e disa shfaqjeve lokale dhe pa asnjë shije e me shpenzime financiare që nuk u dihet shuma.
Është fakt i njohur botërisht se Gjykata Speciale nuk u krijua për shkak se fajtore e vetme ishte Evropa. Ajo u instalua për arsye se propaganda ruse dhe serbe depërtoi fuqishëm në institucionet multinacionale evropiane. Me anë të kësaj lufte speciale qëllimi i vendeve tona armike ishte ta satnizonte idenë e shtetit të Kosovës të përkrahur nga bota perëndimore në përgjithësi dhe SHBA-të në veçanti, si të themeluar mbi një “krim fondator”. Prandaj, ishin SHBA-të më shumë se asnjë shtet tjetër që ngulmuan në krijimin e këtij entiteti supra-juridik. Sepse, në këtë mënyrë tentuan t’u japin fund një herë e përgjithmonë akuzave të tilla morbide. Ta mbrojnë karakterin e pastër të lirisë dhe shtetit tonë, që Uashingtoni e ka përkrahur pa pushim. Kurse “djemve tanë që s’i kemi në shtëpi” u ka rënë barra për ta justifikuar moralisht dhe juridikisht, pikërisht këtë liri.
Mirëpo, që ky mision të jetë i suksesshëm, ai nuk mund të jetësohet duke përndezur tone mallkimi ndaj Evropës, por duke kërkuar kanale bashkëpunimi e bashkëveprimi, ashtu siç edhe e kemi bërë gjatë luftës. Sepse, me anë të asaj shkathtësie ia dolëm që atëbotë ta përmbysim propagandën e shtetit serb.
Në këtë drejtim edhe krijimet artistike e kanë një vend të pazëvendësueshëm. Por, mjerisht, kënga “Liria ka emër” e Leonora Jakupit si dhe gjithë fushata që është orkestruar deri më tani nën këtë slogan, ka dështuar dhe s’e ka kaluar këtë test të rëndësishëm politik dhe historik.