×
Opinione

Shpërfillja e Hegelit në Ukrainë

Reporteri
24 Shkurt 2022 | 10:34

Autor: Afrim Kasolli


Ajo që u paralajmërua që sa ditë nga agjencionet informative amerikane më në fund ndodhi. Ukraina u sulmua. Fatkeqësisht, historia e përsërit vetveten. Dhe atë në mënyrë tragjike. Tiranët e përdorin të njëjtën gjuhë. Të njëjtat praktika. Dhe të njëjtat metoda.

Sjellja aktuale e Putinit nuk dallon asgjë nga ajo që dikur e kishte ushtruar Hiteleri. Ashtu edhe ai pasi erdhi në pushtet, pohonte se paqja e vendosur pas Luftës së Parë Botërore, kishte qene e padrejtë kundër Gjermanisë. Se anulimi i pavarësisë së Austrisë dhe pushtimi krahinës Sudetenland në ish-shtetin e dikurshëm të Çekosllovakisë ishte kusht për të mbajtur “paqen në kohën tonë”, sepse këto rajone banoheshin nga gjermanët.

Ngjashëm si Hitleri edhe Putini ka kohë që i zbaton të njëjtat taktika. Me një retorikë të paparë agresive e satanizoi si katastrofë gjeopolitike rendin ndërkombëtar të vendosur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, rend ky që arriti t’u garantonte qenieve njerëzore të drejta, zhvillim, liri dhe demokraci në përmasa planetare më shumë se asnjëherë tjetër në histori.

Ndërkaq, shtyllat e këtij rendi filloi t’i kontestonte fillimisht në rajonet e Abkhazi-së the Osseti-së në Gjeorgji, për të vazhduar pastaj në Krime, Donbass dhe tani duke sulmuar në mënyrë totale shtetin e Ukrainës. Me anë te këtyre taktikave graduale diktatorët e testojnë vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar. Milosheviqi ishte prototip i kësaj shkolle.

Mjerisht, po ashtu gabimet strategjike ndaj këtyre tendencave destruktive përsëriten. Edhe atëbotë, liderët perëndimorë shpresonin se duke ia plotësuar ambiciet dhe planet e tilla për gllabërime territoriale Hitlerit, mund ta qetësonin, ta ruanin paqen dhe ta shmangnin luftën. Madje kalkulonin se roli i tij ishte i domosdoshëm për këtë mision. Marrëveshja e Mynihut ishte shembull i kësaj mendësie. Se çka prodhuan iluzione të tilla dihet nga të gjithë ne.

Në këtë kontekst, shumë liderë evropianë në vend të reagimit të vendosur dhe të prerë ndaj pretendimeve Carit të ri të Rusisë, e kërkuan mirëkuptimin e tij. Ai e sulmonte çdo ditë rendin që e garantonte paqen, ata nuk nguronin ta konsideronin peshën e tij si jetike për arkitekturën e sigurisë evropiane. Pozonin me të. Shpresonin se duke e thelluar bashkëpunimin ekonomik me Rusinë mund ta zbutnin zemërimin e sundimtarit të saj.
Kriza e Ukrainës nuk ka filluar sot. Ajo ka nisur në vitin 2014. Më shumë se në asnjë vend tjetër në Evropë, qytetarët e këtij shteti kanë vdekur duke protestuar në mbrojte të vlerave evropiane dhe kundër invazionit subversiv të Putinit.

Ish-kancelaria Angela Merkel, nuk e ndali ndërtimin e gazpërçuesit Nord Stream 2, projekt ky, madje që e anashkalonte Ukraninën duke krijuar qasje të drejtpërdrejt në burimet energjetike ruse për ekonominë e shtetit gjerman.

Ndërkohë, presidenti Francës Emmanuel Macron i pushtuar nga fantazma e ish-presidentit Charles de Gaulle dhe ndjenja e resantimantit për shkak të peshës globale të Amerikës, nuk nguronte ta shpallte NATO-në të vdekur klinikisht dhe të angazhohej me çdo kusht për ta anuluar izolimin e pjesshëm që G7 e kishte imponuar mbi Rusinë. Paradoks i paparë! Revoltohej kundër Uashingtonit, roli i të cilit është dëshmuar jetik për garantimin e sigurisë evropiane dhe preferonte bashkëpunimin më atë që çdo ditë e minonte këtë siguri. Madje edhe në kohën kur Ukraina po i vuante pa ndërprerë pasojat e këtyre veprimeve.Kulmi i ironisë ishte se në një sërë intervistash, ky lider ekzibicionist, pohonte se i pëlqente që në kohë të lirë të kridhej në mendime spekulative duke e lexuar Hegelin dhe interpretimin e filozofit gjerman për rolin e njerëzve të mëdhenj në Histori. Sepse, këta të fundit me aksionet e tyre ia dalin që t’i jetësojnë parimet universale humane dhe “frymën e kohës”. Mirëpo, nuk ka lider që i ka shpërfillur më shumë praktikisht mësimet bazike të Hegelit, se sa ky apologjet i vetëshpallur i tij. Hegeli në ligjëratat mbi procesin progresiv të historisë ka vetëdija mbi lirinë, pohon se e tash e tutje barra e historisë botërore ka rënë mbi Amerikën.

Kështu, të pretendosh se mund ta garantosh sigurinë dhe lirinë evropiane duke bashkëpunuar me Rusinë dhe duke kërkuar autonominë strategjike të Evropës nga Amerika nuk do të thotë asgjë tjetër pos anti-hegelianizëm i pastër.

Kjo qasje i karakterizoi shumë liderë evropian që nga koha kur shpërthej kriza në Ukrainë. Ajo që ndodhi sot, nuk është asgjë tjetër, pos kronika e një krimi të paralajmëruar në vazhdimësi. Mirëpo, në vend se shumë liderë evropianë t’i dëgjonin kambanat e alarmit, ata i bënë ato gabime që i kishin bërë paraardhësit e tyre në raport me Hitlerin dhe Miloshevicin. Dhe në kë të mënyrë e konfirmuan edhe një herë një sentencë tjetër profetike të Hegelit “se e vetmja gjë që kemi mësuar nga historia është se nuk kemi mësuar asgjë prej saj”.

Ukraina u gdhi sot nën terror si pasojë e kësaj shpërfilljeje. Ajo është viktima brutale e këtij gabimi. Po nesër?

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!