Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka njoftuar se Maqedonia e Veriut do të ndalojë aeroplanët rusë nga hapësira e saj ajrore.
Më anë të një postimi në llogarinë e tij Twitter, Osmani ka theksuar se edhe ky vend i është bashkangjitur vendimit të shteteve të tjera të Bashkimit Evropian.
“Maqedonia e Veriut sapo ka vendosur t’u bashkohet shteteve të tjera të BE-së në ndalimin e linjave ajrore të Rusisë nga hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Osmani.
Ai ka potencuar se “ne jemi të vendosur në mbështetjen tonë për Ukrainën dhe i bëjmë thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë veprimet ushtarake”.
Ndërkaq, së fundmi edhe Qeveria italiane ka vendosur te mbyllë hapësirën ajrore për avionët rusë.
Ata i mbyllën hapësirat e tyre për avionët ruse që mëngjesin e 27 shkurtit.
E vendet e tjera si Bullgaria, Çekia, Estonia, Gjermania dhe Polonia, kanë bllokuar tashmë hapësirën e tyre ajrore për fluturimet ruse.
