×
  • Lajme
  • Lajme

    Zhvatja me çmimet e vajit: Mbyllet edhe depoja “Migros” e biznesmenit Mustafë Rexhepi, pronar i marketeve “Super Viva”

    Reporteri
    11 Mars 2022 | 0:14

    Aksioni i sotëm i Krimeve Ekonomike dhe Inspektoratit të Tregtisë, përveç “Viva Fresh Store”, e ka prekur edhe depon e biznesmenit Mustafë Rexhepi. 

    Është mbyllur përkohësisht edhe depoja e Migros në Fushë-Kosovë, pronë kjo e biznesmenit Rexhpi, raporton Gazeta Insajderi.

    Mustafë Rexhepi është vëllai i Xhevdet Rexhepit pronarit të “Viva Fresh Store”, depoja kryesore e të cilit u mbyll përkohësisht, gjithashtu nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe Inspektorati i Tregut.

    Por edhe Mustafë Rexhepi, ka në pronësi një rrejt të marketeve në Prishtinë. Fjala është për “Super Viva”, që gjithashtu dyshohet se mashtroi me çmimet e vajit, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Lajmi për mbylljen e dy depove, e “Migros” në Fushë-Kosovë, dhe e “Viva Fresh Store” në Graçanicë është konfirmuar edhe nga Ministria e Industrisë, Ndërrmarrëisë dhe Tregtisë.

    “Gjatë aksionit të sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, janë mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë (në Fushë Kosovë dhe Graçanicë)”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

    Për mbylljen e dy depove ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.

    “Pas një aksioni të Inspektoratit të Tregut dhe Policisë së Kosovës, Departamentit për hetimin e Krimeve Ekonomike, në dy depo (Fushë Kosovë dhe Graçanicë) është gjetur vaj për të cilin ka munguar dokumentacioni”, ka shkruar Kurti, transmeton Gazeta Insajderi.

    “3.49 euro për një shishe vaj është rritje artificiale. Nuk e lejojmë zhvatjen. E kemi shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojmë ata që manipulojnë e përfitojnë në emër të krizës”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!