×
  • Lajme
  • Rajon

    Serbia paralajmëron eksporte të grurit në Ballkanin Perëndimor

    Reporteri
    15 Mars 2022 | 13:38

    Sasi të grurit dhe misrit do të eksportohen në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, paralajmëroi të martën Ministria e Bujqësisë e Serbisë, përkundër ndalesës së vendosur ditë më parë.

    Njoftimi u bë pas një takimi që zhvilluan në Beograd ministri i Bujqësisë i Serbisë, Branisllav Nedimoviq, dhe ministrja e Bujqësisë e Shqipërisë, Frida Krifca.

    Në komunikatën për media thuhet se vendet e nismës “Ballkani i Hapur”, si dhe vendet e tjera fqinje, “mund të llogarisin te Serbia si një partner i besueshëm, në kohën e sfidave të mëdha në sektorin ushqimor”, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Përfaqësuesit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që përbëjnë nismën “Ballkani i Hapur”, kanë planifikuar të mbajnë një takim të ri në mes të marsit, por e kanë shtyrë atë për në maj, për shkak të, siç është thënë, luftës në Ukrainë.

    Një ditë më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia do të lejojë eksportin e grurit të kontraktuar në Shqipëri sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shtoi se e njëjta gjë do të vlejë për çdo vend të rajonit.

    “Serbia ka mjaft, e kjo do të thotë se ka mjaft edhe për vendet e rajonit”, tha Vuçiq.

    Më 10 mars, Serbia ka pezulluar eksportet e grurit, miellit, misrit dhe vajit, për shkak të krizës në tregje që ka shkaktuar lufta në Ukrainë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!