×
  • Sport
  • Sport

    Problemet në futbollin kosovar, Gramoz Vokrri flet për zgjidhjen e tyre nëse vjen në krye të FFK-së

    Reporteri
    15 Mars 2022 | 15:33

    Autor: Ardit Sejdiu


    6 prill, ndonëse e kontestuar, është datë e cila është caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës. Nën akuza të rënda e dyshime të mëdha për korrupsion, kandidaturën edhe për një mandat tjetër e ka shpallur kryetari aktual, Agim Ademi. Përballë paralajmërohet ta ketë Gramoz Vokrrin, djalin e legjendës Fadil Vokrri. 

    Gramoz Vokrri, i biri i të ndjerit, legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar nëse do të jetë në garë për Kryetar të FFK-së.

    Megjithatë, djali i legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, Gramozi nuk e përjashton mundësinë që të jetë kandidat për të drejtuar Federatën e Futbollit të cilën e ngriti lart babai i tij.

    “Ende nuk ka ndonjë vendim përfundimtar, ne jemi duke u konsultuar me disa klube të ndryshme, por nëse ka zhvillime të reja do të dalim me një komunikatë”, tha Vokrri të martën në një bisedë për Gazetën Online Reporteri.net.

    Tutje, Gramoz Vokrri listoi disa nga ndryshimet të cilat mendon ai se do t’i bënte nëse do t’i hynte garës për FFK-në dhe ta fitonte atë.

    “Nëse veç do të jem kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës mendoj se infrastruktura në futboll, pastaj referimi e prurjet e reja do të jenë pikat fillestare me të cilat do të punojmë”, tha ai.

    Duke qenë se jo rrallë herë ka patur diskutime me ngurrimin nga pjesëtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës për ftuarjen e talentëve të rinj në përfaqësuesen e Kosovës në futboll, Gramoz Vokrri ka thënë se një problem i tillë do të zgjidhej nga ai.

    “Ne kemi talentë shumë të mirë e të rinj, të cilët duhet ftuar. Mendoj se ka qenë problem i kryesisë së kaluar, pra mos-ftuarja e shumë talentëve në përfaqësuesen e Kosovës.”, përfundoi Vokrri për Gazetën Online Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!