×
  • Sport
  • Sport

    “Unë e Ismeti e bëjmë ligën interesant, nuk na ndajnë as humbjet as barazimet”, Batatina flet për miqësinë e ngushtë me Munishin

    Reporteri
    18 Mars 2022 | 13:13

    Autor: Ardit Sejdiu


    Në ndeshjen e fundit ndërmjet KF Llapit dhe SC Gjilanit në kuadër të SuperLigës së Kosovës dy skuadrat ndanë pikët, teksa rezultati përfundimtar mbeti 1-1, por që për trajnerët e këtyre dy skuadrave rezultati nuk doli që të ishte real.

    Trajneri i skuadrës nga Llapi, Tahir Batatina pas ndeshjes kishte deklaruar se referi në ndeshjen ndaj Gjilanit, ku ishte mysafir ishte skuadra nën menaxhimin e tij, pra sipas tij po të mos kishte qenë referi pjesë e ndeshjes Llapi do të triumfonte ndaj Gjilanit, pasiqë ai kishte vlerësuar se skuadra e tij e kishte dominuar në fushë atë të Gjilanit.

    Ndryshe nga Batatina, Ismet Munishi, trajneri i SC Gjilanit kishte postuar në rrjetin social, Facebook pamje nga ndeshja, ku sipas tij referi nuk kishte akorduar penallti për skuadrën vendase, madje duke e ngarkuar si foto profili atë pamje, ku njëri nga lojtarët e Llapit duket të ketë patur kontakt fizik me atë te Gjilanit brenda zonës së 11 metërshit.

    Por, një ‘hakmarrje’ duket se ka marrë skuadra e Llapit, duke mposhtur skuadrën nga Gjilani në Podujevë, në kuadër të Kupës së Kosovës, me rezultat përfundimtar 2-0.

    Megjithatë, ‘hakmarrje’ fitoren ndaj Gjilanit nuk e konsideron trajneri i skuadrës së Llapit, Tahir Batatina, i cili në një bisedë për Gazetën Online, Reporteri.net tha se ata kanë kryer detyrën, e cila ka qenë të kalojnë tutje në Kupën e Kosovës.

    “Jo mendoj që ne i kemi kry detyrat tona dhe kemi hecur tutje në kupë ku ishte edhe fokusi jonë“, deklaroi Batatina.

    Ndërkaq, sa i përket mundësisë që Llapi të merr kreun e tabelës, trajneri nga Llapi nuk u shpreh optimist, pasi sipas tij kanë ngecur me pikë.

    “Kemi ngecur me pikë nuk do të jetë e lehtë, por lufta vazhdon ende deri sa të kemi pikë në ndeshje”, u shpreh trajneri llapjan për Reporteri.net.

    Anipse në ndeshjen e fundit ndërmjet Gjilanit dhe Llapit të dy trajnerët e dy skuadrave u revoltuan ndaj gjyqtarëve, një mendim të tillë nuk e pati trajneri nga Podujeva, i cili shtoi se në ndeshjen e fundit referimi duhet të vlerësohet si dhe lavdëroi punën e VAR-it.

    “Në ndeshjen e fundit ishte një referim që duhet të vlerësohet lart. Llapi nuk po dëmtohet nga referët, në ndeshjen me Gjilanin kemi qenë kritikë dhe në asnjë ndeshje tjetër, ku Vari e ka rregullu shumë futbollin dhe i ka largu shumë paqartësi”, vlerëson ai.

    Shumëkush pas përplasjeve që paten rreth referimit tek ndeshja ndërmjet skuadrave të tyre e mendoi se u hidhëruan ndërmjet vete dy trajnerët të cilët konsiderohet të jenë miq jashtë fushës së blertë, por Batatina i tha Gazetës Online Reporteri.net se ata janë shokë, të cilët nuk i largojnë humbjet e as fitoret dhe barazimet.

    “Ismetin e kam koleg dhe mik të mirë, ne jemi dy super trajnera dhe ne e bëjmë ligën interesant dhe kur ndeshemi mes veti kemi rivalitet, por jashtë fushës jemi shokë dhe nuk na largojnë humbjet as fitoret as barazimet mes vete”, potencoi Batatina.

    Lidhur me mundësinë e transferimit të lojtarëve tjerë në afatin e verës tek skuadra llapjane, Batatina potencoi se është i kënaqur me skuadrën aktuale dhe sipas tij Llapi është klubi më i organizuar në Kosovë.

    “Transferime, shumë pak apo hiç. Dua t’i mbaj të gjithë këta djem dhe këtë skuader, ku jam i kënaqur me ta dhe nuk besoj që edhe ata na largohen, ku e dijnë se jemi klubi më i organizuar në Kosovë”, potencoi ai për Gazetën Online Reporteri.net.

    Ndryshe, Batatina duket të jetë sy pa trembur edhe ndaj trajnerëve të Top5 ligave Evropiane, ku për njërin ndër ta, Jose Mourinho-n tha se nuk ka frikë fare nga ai.

    “Fare nuk i frigohem dhe nëse e mbaj rezuntatin deri në minutën e 75 pastaj taktikisht ta mposhti. Kam besim tek vizioni dhe profesionalizmi dhe eksperienca që kam arritë ta kem si trajner.” /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!