UEFA e ka konfirmuar dokumentin e publikuar mbrëmë nga Gazeta Online Reporteri.net, me anë të të cilit shtëpia evropiane e futbollit, në vitin 2020, i kishte kërkuar Agim Ademit largimin nga çdo aktivitet i ndërlidhur me futbollin, shkaku i dënimit nga gjykata.
UEFA ka konfirmuar se në vitin 2020 e kishte pezulluar presidentin e Federatës së Futbollit, Agim Ademi, nga ushtrimi i çdo aktiviteti që ndërlidhet me futbollin, para se ta shfuqizonte më vonë atë vendim të Organit për Kontroll, Etik dhe Disiplinë (CEDB).
“Organi për Kontroll, Etik dhe Disiplinë (CEDB) i UEFA vendosi për këtë çështje më 20 gusht 2020. Megjithatë, ky vendim i CEDB -s nuk është më i vlefshëm ligjërisht, sepse ishte shfuqizuar nga një vendim tjetër i CEDB”, thuhet në përgjigjen e UEFA-s për Gazeta Nacionale.
Gazeta Online Reporteri.net ka publikuar mbrëmë dokumentin e përfolur prej kohësh në media. Menjëherë pas publikimit, Agim Ademi e mohoi serish ekzistencën e këtij dokumenti në një emision të sportit në RTK. Ai e quajti dokument të “fabrikuar”.
Por, pak minuta pas intervistës, Ademi i ‘ra pishman’ asaj që deklaroi në RTK dhe e konfirmoi edhe vetë në Facebook ekzistencën e këtij dokumenti. Por, në sqarimin e tij tha se nuk ka qenë vendim por draft-vendim i UEFA’s.
“Sot gjatë mbrëmjes është prezantuar një draftvendim i Komisionit Disiplinor të UEFA-s, i vitit 2020, i cili kishte propozuar për të marrë një vendim ndaj meje por që asnjëherë nuk është marrë dhe nuk ka hyrë në fuqi. Rrjedhimisht asnjëherë s’ka pas vendim dënues nga UEFA ndaj meje”, shkroi ai.
Ndryshe, më 2 mars, FFK-ja e cila aktualisht drejtohet nga Agim Ademi i shpalli zgjedhjet e reja për 6 prill.
Nga ana tjetër, Agim Ademi, i cili po synon serish vazhdimin e mandatit në krye të FFK’së është në pritje të një seance gjyqësore në rigjykim për veprën penale detyrim në tentativë, e cila nuk ka të bëjë me futbollin dhe është zvarritur që prej vitit 2012.
Ai po ashtu është nën hetime për dyshimet se e ka kurdisur një ndeshje të ekipit kombëtar U21 të Kosovës më 2016 dhe nën hetime në dy raste të tjera i dyshuar për sulm fizik ndaj mjekut të kombëtares, Mehmet Maxhuni, në Parkun e Gërmisë më 2019. Si dhe nën hetim mbi dyshimet për sulm fizik ndaj Artan Govorit, zyrtarit për marrëdhënie me jashtë në FFK, javën e kaluar, për të cilin ishte arrestuar dhe ishte mbajtur një natë në stacionin policor në Prishtinë.
Në zgjedhjet e 6 prillit, Ademi do të garojë kundër Gramoz Vokrrit, djalit të legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të FFK-së.
Ademi e mori drejtimin e FFK-së më 2018 pas vdekjes së Fadil Vokrrit.