Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili njëherësh është edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot para të rinjve që aderuan në degën e AAK-së në Ferizaj, ka numëruar ato që ai i quajti suksese të Qeverisë së Kosovës, që nga koha kur ai është në udhëheqje të saj.
Haradinaj ka deklaruar se pavarësisht ‘sukseseve’ që ka përmendur, asgjë nuk do ta gëzojë më shumë se sa koha kur do të ketë mungesë të fuqisë punëtore.
“Ju siguroj se ka deri në 30 për qind rritje të prodhimit në Kosovë, kalkulohet në mënyra të ndryshme, por deri në 30 për qind prodhimi vendor është rritur. Minimum është 18 për qind, numri i të punësuarve në prodhim në Kosovë është rritur. Ma së shumti kom me u gëzu kur nuk do të gjejmë punëtorë në Kosovë, jo kur s’ka vende të punës por s’gjejmë punëtorë. E di që ka kompani që ankohen edhe sot që s’kanë punëtorë”, ka thënë ai.
Këto deklarata, ai i bëri gjatë dorëzimit të kartelave të anëtarësisë, për të rinjtë që aderuan në degën e AAK-së në Komunën e Ferizajt.