Serbia do ta vazhdojë mbështeten e saj për popullin serb, përmes projekteve që po i realizon në Kosovë.
Ky ka qenë mesazhi që ka dhënë në veri të Mitrovicës shefi i Zyrës për Kosovë në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, gjatë vizitës së tij në veri të Kosovës.
Ndonëse Gjuriqit, Ministria e Punëve të Jashtme nuk i dha leje për ta vizituar Gazimestanin, atje ku pritej të zhvillohej festa e Vidovdanit, ai, nga veriu i Mitrovicës ka theksuar se Kosova është vendi më i mirë për ta festuar atë.
“Sot, këtu në Zubin Potok, ju njoftoj se shteti i Serbisë, po realizon 149 projekte të ndryshme në Kosovë në përkrahje të popullit serb. Deri në fund të këtij viti, kjo shifër do të shkojë mbi 350. Duhet ta dini që edhe në netët më të këqija do të vijnë periudha më të mira. Ne e dimë kush jemi, nga vijmë dhe kujt i përkasim dhe çka është e jona dhe çka do të jetë e jona në të ardhmen. Unë ju porosis që ta ruani njërin-tjetrin, ata që nuk na e donë të mirën shpresojnë që ne të jemi të ndarë mes vete dhe të vijnë deri tek ajo që serbët t’i përdorin kundër njëri-tjetrit”, ka thënë Marko Gjuriq, drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.
Pas këtij fjalimi, Gjuriq ka takuar 4 kryetarët e komunave veriore dhe ka përuruar ujësjellësin në Zubin Potok.
Ndërsa, në Gazimestan, me pankarta dhe mesazhe nacionaliste, serbët kanë festuar Vidovdanin.
Nën përcjelljen e policisë, dhjetëra pelegrinë serbë kanë arritur në Gazimestan.
Gazimestanin, peshkopi Atanasije Jevtiq, Gazimestanin e ka quajtur vend të fitoreve, ndërsa NATO-n organizatë terroriste.
“Jemi këtu në vendin e fitoreve dhe kjo nuk është e vetmja, kemi fituar në Koshare dhe në Pashtrik. Kemi fituar kundër NATO-s, kemi fituar ndaj ushtrisë shqiptare dhe UÇK-së. Millosheviq dhe këta që janë tash, presidenti Vuqiq që atë kohë ka qenë ministër, kanë kapitulluar në Kumanovë. Në Kumanovë u nënshkrua çlirimi i Kosovës . Dhe atë që kanë nënshkruar (rezolutën 1244) NATO nuk e kanë respektuar, vetëm kanë folur. Dëshmi për këtë është se nuk e kanë shpallur agresore NATO-n dhe fuqitë ndërkombëtare terroriste që kanë okupuar Kosovën dhe Metohinë. NATO është organizatë terroriste”, ka thënë Jevtiq.
Përveç parullave nacionaliste si “Kosova është Serbi” e “Nuk ka dorëzim”, në fund të kësaj feste është shpalosur edhe një parullë me mbishkrimin “Nuk ka ndarje, Kosova është pjesë e Serbisë”.