Skuadra e AC Milan është ndeshur mbrëmë me skuadrën e Torinos në kuadër të raundit 32 në Serie A, përcjell Reporteri.net.
Nuk ishte ndeshja më e mirë për kuqezinjtë, anipse ata nuk kanë pësuar asnjë gol në dy ndeshjet e fundit.
Megjithatë, përveç se nuk morrën gol, lojtarët e Milanit kanë hasur në vështirësi për të shënuar gol, e kjo ka qenë prezente pikërisht pranë portës së kundërshtarit.
Me këtë “disfatë” në Torino, skuadra e Milanit i ka hapur rrugë asaj të Interit për të marrur kreun e tabelës në Serie A, ku nga kjo ndeshje mbeten edhe gjashtë tjera deri në fund të këtij edicioni.
Ndërkaq, pas ndeshjes është prononcuar edhe trajneri i Milanit, Stefano Pioli, ku tha se Interi është favorit për të fituar Serie A, teksa shtoi se ata ende besojnë.
“Tash mund të thoni se favorit është Interi, por ne besojmë”, deklaroi Pioli për “DANZ”
“Nuk e kishim freskinë dhe shkëlqimin. Nuk krijuam shumë, por në disa raste kemi mundur të jemi më të rrezikshëm. Ishte një ndeshje e vështirë ndaj një skuadre të papërshtatshme. Është një rezultat pozitiv, por është duke na munguar fitorja. Duhet të vazhdojmë kështu, por duke e ditur se mund të bëjmë më mirë”, shtoi ish-trajneri i Interit.
Tutje, tekniku italian tha se skuadra e Milanit dëshiron që të qëndrojë deri në fund të edicionit në krye të tabelës së Serie A.
“Jemi duke shkuar fort qe një kohë, i kemi resurset për të bërë mirë deri në fund. Çdo javë ndryshon favoriti, duke i dëgjuar komentet e gazetarëve. Tash do të jetë Interi, por është një kampionat i ekuilibruar. Ne besojmë, nuk jemi komplet të kënaqur me barazimin, por do të gjejmë zgjidhje të tjera. Duam të qëndrojmë aty deri në fund”, përfundoi Pioli.
Vlen të theksohet se në skuadrën e Torinos së Italisë luajnë Mërgim Vojvoda si mbrojtës krahu si dhe Etrit Berisha në portë, ku ka marrur besimin e trajnerit së fundmi.