×
  • Lajme
  • Lajme

    Auditori: Posta e Kosovës ende pa rregullore të qarta për menaxhimin e të hyrave

    Reporteri
    30 Qershor 2019 | 23:53

    Disa parregullsi ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në Postën e Kosovës për vitin 2018.


    Pronësia e pa definuar e pasurive, mos prezantimi i saktë i të pagueshmeve tregtare, mungesa e politikave të qarta të vlerësimeve kontabël etj.

    Llogaritë e pagueshme tregtare janë detyrime që krijohen gjatë kryerjes së aktiviteteve kryesore të njësisë ekonomike. Ato krijohen si pasojë e blerjes së mallrave apo shërbimeve me pagesë të mëvonshme, shkruan Reporteri.net.

    Në bazë të konfirmimeve të pranuara nga palët e treta, analizës se kartelave dhe faturave të furnitorëve, Auditori ka identifikuar se kompania kishte mbivlerësuar obligimin ndaj Komunës së Kamenicës në vlerë prej 1,200€.

    “ Po ashtu, Kompania, kishte nënvlerësuar obligimin ndaj Dardafon.net për 4,292.45€ dhe Telekomit të Kosovës për 297€. Kjo ka ndodhur si shkak i mos harmonizimit të faturave të furnitorëve me pagesat e kryera nga kompania si dhe mos barazimit me klientët, në emër të cilëve Posta shet produktet e tyre”, thuhet në raport.

    Mungesa e rregulloreve për menaxhimin e të hyrave është një problematikë tjetër që ka gjetur Auditori.

    Në bazë të Statutit të Shoqërisë Aksionare “Posta e Kosovës”, neni 7 paragrafi 2, përcakton që ndërmarrja duhet nxjerr rregulloret të cilat përmbajnë dispozita për administrimin dhe funksionimin e shoqërisë.

    Kompania karakterizohet me një shumëllojshmëri të të hyrave si dhe decentralizim të lartë të pikave shitëse që krijojnë të hyra.

    Përkundër kësaj, Auditori thotë se Posta ende nuk ka hartuar procedura/rregullore të qarta dhe gjithëpërfshirëse për menaxhimin e të hyrave.

    Auditori tërheq vërejtjen se në mungesë të procedurave të qarta për menaxhimin e të hyrave mund të shkaktohen gabime ose keqpërdorime eventuale.

    Shpenzimet kontigjente

    Në konton shpenzime kontigjente, në fund të vitit 2018 janë prezantuar shpenzime në vlerë prej 17,162.27 euro.

    Këto shpenzime nuk i takojnë kësaj kategorie, por kryesisht janë shpenzime të funksionalizimit dhe mirëmbajtjes së pajisjeve, shpenzime të qirasë, transportit dhe disa shpenzime tjera. Për më tej, kjo çështje ishte ngritur edhe vitin e kaluar nga auditori i jashtëm.

    Sipas zyrtarëve përgjegjës, kjo ka ndodhur si rezultat i mos planifikimit të këtyre shpenzimeve.

    Auditori ka gjetur në këtë kompani edhe mos mbulueshmëri të periudhës aktuale me auditime dhe mos realizim të planit të auditimit.

    “Auditimet e finalizuara nuk kishin mbuluar aktivitetet e vitit aktual, por në përgjithësi ishin fokusuar në aktivitetet e vitit 2017. Për më tej, njësia e auditimit të brendshëm ka realizuar shumicën e auditimeve të cilat i kishte planifikuar, mirëpo kjo njësi nuk ka realizuar planin në tërësi”, thuhet në raport.

    Mungesa e politikave të qarta të vlerësimeve kontabël

    Përkundër faktit se Ndërmarrja ka një numër të rregulloreve, sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike ende nuk ka politika të qarta të gjykimeve dhe vlerësimeve kontabël i cili mund të përfshijë disa fusha të rëndësishme kontabël si: borxhet e këqija; humbja e vlerës së inventarit; vlera e drejtë e pasurive financiare/jo financiare apo detyrimeve financiare; jeta e dobishme e pasurive jo financiare ose modeli I pritshëm i konsumit të përfitimeve ekonomike të ardhshme të trupëzuara në pasuri; dhe detyrimet e garancisë si dhe metodat e përllogaritjes së amortizimit dhe zhvlerësimit.

    Auditori thotë se kjo çështje ishte ngritur dhe rekomanduar edhe në vitin e kaluar. Kjo si pasojë e vëmendjes së pamjaftueshme të Bordit të Drejtorëve për çështje të cilat mund të rrezikojnë objektivat strategjike të Ndërmarrjes.

    Auditori ka gjetur në këtë kompani edhe pronësi të pa definuar të pasurive.

    “Sipas sistemit të kontabilitetit ERP dhe Raportit të Regjistrimit të Mjeteve Themelore dt. 31 dhjetor 2018, janë prezantuar gjithsej 132 Ndërtesa. Më tej, sipas dëshmive të ofruara nga zyrtarët e Kompanisë, pronat me status ligjor të konfirmuar mbi të cilat ndërmarrja ushtron të drejtat pronësore janë gjithsej nëntë, ndërsa nëntë tjera janë në shfrytëzim nga Kompania, ku në dy prej tyre Kompania ka të drejtën e shfrytëzimit të përhershëm sipas akt vendimeve të gjykatave. Për pjesën tjetër të pasurive/pronave statusi ligjor mbi pronësinë është i pa definuar”, thuhet në raport. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!