Në shenjë proteste për taksën prej 100 për qind të vendosur nga Prishtina për mallrat nga Serbia, të gjitha dyqanet ushqimore, dyqanet tjera dhe kioskat me mallra në veri të Kosovës janë mbyllur. Burime të hetuesisë kosovare bëjnë me dije për Express se asnjë dyqan sot në mëngjes në pjesën veriore të Kosovës nuk është hapur.
Strukturat paralele serbe në Veriun e Mitrovicës i kanë urdhëruar të gjitha subjektet ekonomike të të gjitha llojeve që të mos punojnë, madje do të mbahen të mbyllura edhe pompat e benzinës, furrat, qebaptoret, lokalet e berberëve e sallonet e ondulimit.
Qytetarët serbë kanë krijuar rezerva të paktën për tri ditë.
E ndërkohë për ‘krizën humanitare’, mediat serbe po raportojnë se sot janë mbyllur furrat e bukës dhe objektet e tjera hoteliere.
Qytetarët kanë bërë rezerva këto ditë dhe kryetari i Shoqatës së Biznesmenëve në veri të Kosovës, Rados Petroviq, i tha RTS-së se kjo masë do të jetë në fuqi derisa Prishtina të heqë taksën.
“Ne paralajmëruam se nuk mund të funksionojmë me taksa dhe kjo është ajo që ndodh. Për sa kohë nuk mund t’i sigurojmë mallrat dhe ne të punojmë si në një botë normale, kjo do të zgjasë”, tha Petroviq.
Ai thekson se ky veprim i biznesmenëve filloi spontanisht, pasi ato mbetën pa mallra njëra pas tjetrit.
Petroviq shton se ka premtim nga autoritetet e Beogradit se banorët e veriut të Kosovës nuk do të mbeten të uritur dhe ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare “që të përfshihet në zgjidhjen e problemit sa më parë që të jetë e mundur”.
Autoritetet kosovare kanë vendosur taksën prej 100 për qind më shumë se shtatë muaj më parë.