Policët kufitarë të Kosovës janë sulmuar pesë herë brenda katër ditësh, gjatë javës që shkoi. Sulmi i fundit ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Dyshimet janë se mjetet me të cilat janë sulmuar policët kanë ardhur nga territori i Serbisë. Kryeministri Kurti ka deklaruar sot se këto sulme kishin për qëllim vrasjen e policëve, shkruan Gazeta Online Reporteri.net
Të shtunën në mëngjes, Policia e Kosovës njoftoi se kanë ndodhur dy shpërthime në Sharpej të Jarinjës, që u shkaktuan nga mjetet piroteknike.
Shpërthimet ndodhën afër veturës së policisë, e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.
Mjetet që shkaktuan shpërthimet dyshohet se erdhën nga territori i Serbisë.
“Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave.
Nga ky rast, nuk ka persona të lënduar as dëme materiale. Policia është duke e trajtuar rastin dhe do të vazhdojë aktivitete operative për të parandaluar aktet kriminale trans-kufitare në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë”, njoftoi Policia.
Por, ky s’është sulmi i vetëm ndaj Policisë së Kosovës. Gjatë javës që shkoi, policët kufitarë të Kosovës janë sulmuar edhe katër herë të tjera.
Për këto sulme njoftoi Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë të përbashkët me Drejtorin e Policisë, Samedin Mehmetin.
Sipas Sveçlës, sulmet ndaj policëve janë bërë me granata dore, kallashnikov dhe iriqa metalik, shkruan Gazeta Online Reporteri.net
“Në veri, sot rreth orës 07 e 20 ka ndodhur një sulm ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK47, si një akt terrorist është bërë me qëllim të zyrtarëve policorë dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.
Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë. Sulmi i parë ka ndodhur, apo tentim sulmi duke vendos iriqa metalik në rrugën nacionale, në kohë përafërsisht të njëjtë me sulmin e sotëm, që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës.
Sulmi i dytë ka ndodh me gurë. Sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë, ku është gjuajtur me armë zjarri dhe sot siç thash edhe më herët drejtpërdrejt janë godit dy veturat që transportonin zyrtarët policorë”, ka deklaruar Sveçla të premten.
Kurti: Sulmet mbi policet kanë pasur për qëllim të vrasin
Për sulmet ndaj policëve në veri, kryeministri Albin Kurti është deklaruar sërish sot.
Ai tha se këto sulme kanë pasur për qëllim vrasjen e policëve.
“Ne kemi dënuar ashpër këtë sulm i cili ishte sulm terrorist meqenëse me plumba dhe granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë të cilët patën fat që pësuan vetëm dëme materiale. Iu takon organeve të rendit të bëjnë hetime mbi ata që sulmuan për të zbardhur rastin por në anën tjetër edhe për t’u vlerësuar situata e sigurisë se çka duhet të ndërmarrin në vijim në mënyrë që ta pamundësojmë sulme të tilla. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale, as mbi qytetarët, por sulme mbi policet që kanë pasur për qëllim të vrasin. por fatmirësisht nuk kemi pasur dëme në njerëz dhe asnjë pjesëtar i PK-së nuk është lënduar. Organet e rendit do të bëjnë hetime për hapat tonë përpara. Me strukturat ilegale të Serbisë dhe krimit i organizuar nuk do të ketë asnjë gram tolerancë nga Qeveria e Kosovës, policia etj”, tha Kurti.
Reagimet e ndërkombëtarëve për sulmet ndaj policëve
Sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri i ka dënuar edhe Ambasadaori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier.
Hovenier ka thënë se ambasada amerikane është thellësisht e shqetësuar për sulmin me armë zjarri ndaj autoriteteve sovrane të Kosovës.
“Ambasada e SHBA-së është thellësisht e shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë zjarri dhe hedhje gurë ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës afër Zubin Potokut. Këto sulme ndodhën kur autoritetet sovrane përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare”, ka shkruar ai.
“Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të papranueshme, të pajustifikueshme. Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës. Ne tërheqim vërejtjen kundër spekulimeve që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”, ka shkruar Hovenier.
Edhe Misioni i KFOR-it ka dënuar ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit dhe ka shprehur gatishmëri për të mbështetur Policinë e Kosovës nëse u kërkohet.
“Misioni i KFOR-it dënon ashpër sulmet e fundit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për të mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është e nevojshme dhe e kërkuar”, ka thënë një zyrtar i KFOR-it.
Ai tha poashtu që presin nga palët që të përmbahen nga veprimet që mund t’i përshkallëzojnë tensionet.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dënuar ashpër atë që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut”, në orët e hershme të 15 prillit.
“Policia e Kosovës është ofruesja kryesore e sigurisë dhe përdorimi i forcës kundër zyrtarëve është i papranueshëm”.
Zyra e bllokut evropian në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin spekulimet e panevojshme, të cilat mund të nxisin edhe më shumë tensionet.
Edhe kreu i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, ka reaguar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Ai tha se sulmi kundër jetës së policëve është i papranueshëm, derisa ka bërë thirrje që autorët të kapen dhe të vihen para drejtësisë.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë po përcjell me shqetësim të madh sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës. Aktet e tilla të shëmtuara, të drejtuara kundër jetës së policëve, detyra e të cilëve është të mbrojnë të gjithë njerëzit në Kosovë, janë krejtësisht të papranueshme. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përqendrojnë përpjekjet në identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë”./Reporteri.net