Situata aktuale e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc është duke diskutuar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.
Në emër të propozuesit të seancës, foli deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, i cili tha se situata e shqiptarëve në Luginë është duke u përkeqësuar, derisa renditi disa nga vështirësitë me të cilat shqiptarët atje përballen.
Kurteshi prezantoi edhe rekomandimet për të cilat kërkoi që pas diskutimit, të harmonizohen me të gjitha partitë politike, ku një ndër rekomandimet, është që çështja e Luginës të bëhet pjesë e përhershme e dialogut në Bruksel dhe kudo tjetër.
Kurse deputetja e NISMA Socialdemorkate, Albulena Balaj – Halimi tha se Bashkimi Evropian do të duhej të merrte masa për padrejtësitë e mëdha që Serbia po iu bënë shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës, Balaj – Halimi tha se NISMA do të angazhohet për një vijë buxhetore për Luginën e Preshevës, teksa propozoi themelimin e një ministrie për Luginën e Preshevës.
“Unë propozoj që në Kosovë të kemi një Ministri për Luginën e Preshevës. Kur jemi në gjendje të kemi 21-24 ministri, të cilat ndoshta nuk do ët ishin të nevojshme, pse të mos kemi edhe një ministri të veçantë për Luginën e Preshevës… Ndërkohë që në Kosovë, serbët mësojnë me planprogram të Serbisë dhe jo të Kosovës, si ka mundësi që Luginës të mos i mundësohet të mësojë në gjuhën amtare, ndërsa këtyre këtu po. Andaj, Bashkimi Evropian, do të duhej të merrte masa edhe në këtë çështje”, u shpreh ajo.
Ndërsa deputeti i Partisë Socialdemokrate Dukagjin Gorani, ka propozuar që në kuadër të Kryeministrisë të hapet një zyrë për Luginën e Preshevës, që sipas tij do të ishte një veprim i vogël e simbolik, por që do ta vendoste një adresë të përhershme për banorët e Luginës.
Ai tha se për PSD-në hapja dhe funksionimi i zyrës për Luginën e Preshevës në Qeverinë e Kosovës do të ishte hapi i parë dhe i domosdoshëm që do të mundësonte hartimin e një plani gjithëpërfshirës shtetëror për Luginën dhe banorët e saj. /Reporteri.net/.