Këtë vit data 27 prill 2022 shënon ditë të veçantë për besimtarët myslimanë, pasi pikërisht sot është Nata e Kadrit, e cilësuar si më e vlefshme se 1000 muaj. Megjithatë duhet theksuar se sipas literaturës dhe dijetarëve myslimanë, data e saktë 100% nuk dihet, por ka disa rrugë për ta kërkuar atë. Nata e Kadrit ndodhet në 10 ditëshin e fundit të muajit Ramazan dhe në netët teke, pra nata 21, 23, 25, 27 dhe 29 janë që të gjitha aleternativa të mundshme se kur mund të jetë kjo natë e shënuar për myslimanët.
Sipas dijetarëve të Islamit, kjo natë është lënë e papërcaktuar saktësisht me qëllim që besimtarët të shtojnë adhurimet në 10 ditëshin e fundit dhe të mos mjaftohen vetëm me një natë. Qëllimi këtu është që besimtarët të bëhen më të devotshëm. Gjithashtu ka disa shenja për të dalluar këtë natë të veçantë.
Ndër këto shenja është se dielli i ditës që pason natën e Kadrit, lind pa rreze, ose është i kuq dhe ka ndriçim të zbehtë. Një shenjë tjetër që përmendet është dhe shiu i lehtë që mund të bjerë natën e Kadrit dhe se ajo natë nuk është as e nxehtë dhe as e ftohtë. Por sërish duhet theksuar se shenjat e mësipërme kushtëzohen në kohë dhe hapësirë, pasi ka vende myslimane ku shiu bie pa pushim, të tjera ku ka vite që nuk bie shi, të tjera që vuajnë nga të ftohtit dhe të tjera që vuajnë nga i nxehti.
Nata e Kadrit përkon edhe me nisjen e shpalljes së Kur’anit ndaj profetit Muhammed, prandaj edhe quhet natë e bekuar. Në këtë natë zgjidhet çdo çështje dhe caktohet fati i çdo krijese për vitin që vjen. Dyert e qiellit janë të hapura për besimtarët që i luten Zotit për zgjidhjen e halleve të tyre.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.