×
  • Lajme
  • Lajme

    Përmes Labit, Haradinaj ua demonstron opozitës se nuk i kanë votat për ta rrëzuar Qeverinë

    Reporteri
    03 Korrik 2019 | 14:41

    Këngëtari i muzikës tallava, Labinot Tahiri po del të jetë një nga deputetët që më së shpeshti takohet nga kryeministri i vendit Ramush Haradinaj.


    Ky i fundit, po duket se po e përdor Labin, sa herë që do të demonstrojë se opozita nuk i ka votat në Kuvend për ta rrezuar Qeverinë.

    Deputeti Tahiri edhe sot ka qëndruar në zyrën e kryeministrit, e natyrisht se takimi është përcjellë me një fotografi.

    Haradinaj thotë se këngëtari i njohur i tallavasë sot, gjoja, qëndroi në zyrën e tij për ta uruar për ditëlindje, shkruan Reporteri.net.

    “Bashkëbisedim me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahiri, për mundësitë e avancimit të projekteve zhvillimore për rritjen e mirëqenies qytetare në vend. Pata kënaqësinë, po ashtu, të pranoj edhe urimet më të mira nga deputeti Tahiri me rastin e ditëlindjes sime”, ka shkruar kryeministri në facebook, duke shpërndarë fotografinë me Labin.

    Labinot Tahiri, jo shumë javë më parë, u dekorua nga Kryeministri Haradinaj edhe me Urdhrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Kjo gjë u përcjellë me reagime të ndryshme dhe mjaft kundërshtuese.

    Takimi Haradinaj-Labi ka ndodhur pikërisht në ditën kur kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti, në një takim po me kryeministrin e vendit, tregojë qartë se opozita nuk i ka votat për ta rrëzuar Qeverinë. Një gjë të tillë e pohuan edhe deputetët e partisë së Ahmetit në seancën e Kuvendit të Kosovës.

    Megjithatë, Kryeministri Ramush Haradinaj, një ditë më parë, tha se rrëzimi i qeverisë së tij do të ishte shpëtim për të, duke aluduar në rritjen e popullaritetit të shefit të ekzekutivit dhe partisë së tij.

    Ndryshe, deputeti Labinot Tahiri, shumë i njohur si përformues i muzikës tallava, është larguar nga AKR-ja e Behgjet Pacollit. Përkundër largimit nga kjo parti pjesë e koalicionit qeverisë, Labi deri më tani nuk ka treguar se ka kaluar në opozitë. Përkundrazi ai vazhdimisht shfaqë simpatinë për kryeministrin Ramush Haradinaj, sikurse të njëjtën gjë e bënte edhe gjatë kohës sa ishte në AKR. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!